Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka përgëzuar punën e Policisë dhe të SPAK-ut. Me një shënim në faqen e saj zyrtare në “Facebook”, ambasada thekson se profesionistët e vërtetë të drejtësisë duhet të lejohen të vijojnë punën e tyre pa kërcënime, pavarësisht se kush person merret i pandehur.
“Ambasada e SHBA-së mbështet me forcë punën e pavarur dhe profesionale të Policisë së Shtetit dhe SPAK-ut. Profesionistët e sistemit të drejtësisë – oficerët e policisë, prokurorët dhe gjykatësit – duhet të lejohen të bëjnë punën e tyre pa kërcënime dhe kanosje, pavarësisht kush është i pandehur”, thekson ambasada.
Sipas ambasadës së SHBA-së detyra kryesore e drejtësisë është që të luftojë me çdo mjet krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe t’i hapë rrugë integrimit të Shqipërisë në familjen e Bashkimit Evropian.
“Ka ardhur koha që të lejohen të kryejnë detyrat e tyre dhe të mbështeten përpjekjet e tyre për të luftuar krimin e organizuar. Kjo është e vetmja mënyrë që shqiptarët të kenë sistemin profesional dhe të paanshëm të drejtësisë që meritojnë, dhe të ecin përpara drejt integrimit në BE”, shkruan ambasada e SHBA në Tiranë./h.e