Partitë politike po zhvillojnë takime intensive joformale për të arritur marrëveshje për koalicionim për Qeverinë e re.
LSDM me Zoran Zaev është në ofensivë për të siguruar numrat e nevojshëm prej 61 deputetëve dhe se kjo parti po negocion me BDI, e cila gjithashtu synon postin e kryeministrit. Zaevi po negocion edhe me ASH – AAA, por që vetëm me këtë koalicion nuk mund të sigurojë 61.
Nga ana tjetër, edhe VMRO-DPMNE nuk ka hequr dorë nga formimi i shumicës. Kjo parti ka zhvilluar takime me BDI, dhe se krerët e këtyre dy partive për më shumë se një orë kanë diskutuar për mundësinë e sigurimit të shumicës parlamentare, por që nuk jepen detaje se BDI cilat pozicione i ka shpalosur dhe se a vazhdon të mbajë kushtin e saj për kryeministër shqiptar. Nga kjo parti dolën “spine” se synohet rotacion për postin e kryeministrit, dy vite njëra parti e koalicionit, dy vite BDI.
Ndërkohë, lojtar i kalkulimeve për formimin e Qeverisë mbetet edhe ASH-AAA. Eksponentë të këtij koalicioni kanë thënë se do të jenë në Qeverinë me LSDM dhe se BDI duhet të shkojë në opozitë nëse nuk plotëson kushtin e premtuar për kryeministër shqiptar.
Afati për krijimin e shumicës po rrjedh dhe se presidenti deri më 14 gusht duhet ti jap mandatin asaj partie apo koalicioni që siguron shumicën në Kuvend, ndërsa pas kësaj, mandatari deri më 4 shtator duhet të formojë Qeverinë dhe prezantojë para deputetëve. Nëse mandatari nuk arrin të formojë dhe prezantojë Qeverinë deri në këtë afat, ai duhet ta kthejë mandatin tek presidenti. (INA)