Nga Ben Andoni
Nga qartësia me të cilën kryeministri kosovar i është drejtuar ambasadorëve te vendeve të Quint-it kupton se Haradinaj është i bindur për vërtetësinë dhe drejtësinë e masës së vet. Flitet për taksën 100%, që i është vënë në kurriz prej Nëntorit të shkuar mallrave serbe dhe jo vetëm, pasi flitet dhe për ato boshnjake. E justifikuar me shkeljet e panumërta serbe të Marrëveshjes për Tregti të Lirë me Evropën Qendrore (CEFTA) dhe veprimet e stërpërsëritura të Beogradit, që kanë për qëllim shkatërrimin e shtetit të Kosovës, ajo ka një bazë të vërtetë. Qeveritë kosovare, deri më sot, u është dashur të shpenzojnë energji pa fund për të neutralizuar pengesat dhe këtë negativitet, që ndihet nga një mal propagande që i derdhet mbi kurriz.
Veçse në orët e fundit, pavarësisht justifikimeve kosovare, që janë krejtësisht të drejta, amerikanët kanë artikuluar mendimin e tyre për të ardhmen e taksës: duke i kërkuar tërheqjen pa kushte Kosovës ndaj kësaj mase. Duke ditur investimin amerikan për pavarësinë e Kosovës dhe sidomos ekuilibrin e ri, që po mbahet me Rusinë, duket se Kosova është futur në një qerthull, që duhet ta zgjidhë e diktuar. Për fatin e keq të Kosovës, Rusia e vitit 2019 nuk është ajo e kohës së Luftës së Kosovës dhe e viteve para saj, që mund të nëpërkëmbej lehtë. Në këtë rast, kujdesi amerikan për ta trajtuar problemin kosovar dhe deklaratat për dakordësinë e qëndrimit, nëse Serbia dhe Kosova gjejnë gjuhën, tregon hapur një lëshim të madh ndaj kundërshtarëve të tyre më të mëdhenj. Gjatë dy dekadave të fundit, Rusia falë vetëm një vote në Këshillin e Sigurimit, jo thjesht e bllokoi misionin e NATO-s dhe të OKB-së, por edhe e vendosi shpesh para udhëkryqeve Bashkimin Evropian. Çmimi ka qenë i lidhur me fitimin e krediteve pak e nga pak për t’u vendosur në pozicionin e duhur natyral, që i takon për shkak të forcës së jashtëzakonshme ushtarake. Mungesa “e taktit” të dikurshëm ndaj Rusisë, tashmë po paguhet. E tillë saqë edhe Ambasada amerikane, në kërkesën për heqjen e taksës, ka paralajmëruar disi se as edhe një shtet, paçka lidhjeve me të, nuk mund të veprojë kundër interesit amerikan dhe të shpëtojë pa pasoja.
Pas padisë së shtetit serb në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND-së) se shpallja e pavarësisë nga ana e Kosovës në vitin 2008 duhej konsideruar si e paligjshme, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së u detyrua ta miratojë Rezolutën nr. 64/298 (2010), e cila njohu verdiktin e GJND-së dhe mirëpriti “gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të lehtësuar procesin e dialogut ndërmjet palëve”. Ky ishte apogjeu i asaj që rrodhi pas Pavarësisë së Prishtinës sepse pastaj gjithçka u bllokua dhe Serbia e Kosova u rropatën në një dialog, që tani duket se ka nisur nga fillimi. Aqsa në kërkesat e veta, Haradinaj kërkon mbajtjen e një konference, e cila duhet të preçizojë gjërat. Po vallë ç’duhet të saktësojë një Konferencë, kur Kosova është e pavarur dhe e njohur si e tillë?!
Kosovarët po e pësojnë prej politikës serbe, faktorit të brendshëm, por më shumë se kaq, perceptimit të ri të marrëdhënieve Rusi-SHBA. Cinizmi rus tashmë është i frikshëm. Kjo e fundit të bën të trembesh, sepse Rusia dhe SHBA e viteve 2019, nuk janë ato të viteve të fundit të mijëvjeçarit të shkuar. Tashmë, jemi në dorë të një konjukture jo shumë të perceptueshme, por që ka vetëm një drejtëz, e cila lidh ngushtë SHBA-në me Rusinë, atje ku BE nuk guxon të futet, e kuptohet as më pak Serbia dhe Kosova, ndaj Haradinaj tashmë letrat ia drejton ambasadorëve të Quint-it…për mirëkuptim. (Javanews)