Editorial
Ndërsa në Shqipëri dhe Kosovë gjëndja është jashtë kontrollit dhe coronavirus, armiku i ‘fshehtë ’, i ka gjunjëzuar këto dy vende me shifrat ndër më alarmantet sa u përket viktimave dhe të infektuarëve, si dhe me një përkeqësim të gjëndjes ekonomike e sociale çka ka arritur kulmin me çfarë po ngjet në pikat kufitare të Kakavijës dhe Kapshticës me Greqinë këto ditë, figura publike shqiptare konsumojnë energji duke u marrë me vendet e tjerë.
Kësisoj sikur mos të kishim të bënim me një katastrofë tragjikë që po vret dhe shkatërron ekonomikisht dhe psikologikisht popullin shqiptar ka prej figurave të tilla që hedhin sytë ‘pas gardhit’, në fakt, zakon i vjetër shqiptar.
Në Kosovë ku parlamenti i shqetësuar miraton me ligj me 15 gusht masa të tjera të rrepta parandaluese kundër virusit, deri një ditë më parë 381 njerëz kanë humbur jetën që nga fillimi i epidemisë. Në Shqipëri kjo shifër arriti në 219 më 14 gusht. Numri i të infektuarve rritet çdo ditë. E më shqetësuese është gjëndja e sistemit shëndetësor për të përballuar përkeqësimin e kësaj fatëkeqësie tragjike.
Po krijohen vatra të reja epidemie dhe me shumë shqetësim është çfarë po ndodh në Kakavijë, në jug të Shqipërisë, në kufi me Greqinë, ku deri në mëngjes të 15 gushtit me mijra njerëz në një rradhë makinash prej rreth 25 km të gjatë prej disa ditësh janë të kërcënuar nga epidemia e koronavirusit veç mundimeve të tjera. Sa kaotike tragjikisht është gjëndja tregon që një fëmijë 10-vjecar humbi jetën i goditur nga një autoambulancë më 15 gusht!
Mirëpo pikërisht në kulmin e kësaj gjëndje apokaliptike figurat autoritare shqiptare në Prishtinë e Tiranë nuk e humbasin sensin e humorit, veçanërisht atë politik.
Perla, nëse mund ta quajmë kështu, u gjet në Prishtinë. Vetëm pak ditë pasi u njoftua për regjistrimin e vaksinës së parë në botë ndaj Covid-19 nga Rusia, doli një i “privilegjuar” në Ballkan që ka përfituar nga kjo vaksinë. Pikerisht ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik i Kosovës, Valdrin Lluka, i cili përmes një postimi në Twitter ka bërë me dije se e ka përdorur këtë vaksinë. Në postimin e tij ai ka theksuar se deri tani nuk ka pasur asnjë efekt anësor.
“Unë dhe familja ime morëm vaksinën ruse për COVID19 dhe nëse keni frikë se nuk është testuar, e provova dhe jam i lumtur të raportoj se nuk ka asnjë efekt anësor,” shkruante ish-ministri Lluka.
Media shqiptare në të dy anët e kufirit e përcollën këtë njoftim duke shprehur habi se si e kishte marrë këtë vaksinë jeteshpëtuese ish-ministri kosovar kur ende nuk dihet nëse ka filluar shpërndarja e saj jashtë territorit rus. Çfarë është njoftuar nga Moska janë garancia e efektshmërisë së vaksinës dhe interesimi në rritje për të nga më shumë se 20 vende të botës.
Por interesimi mediatik shqiptar për rastin e ish- ministrit kosovar ështe i natyrshem sepse është fjala për temën më jetike aktuale në mbarë botën – vaksinën kundër coronavirusit, habia që një figurë e rëndësishme kosovare e mori atë për të gjithë familjen e tij dhe mbi të gjitha përballja e medias dhe opinionit publik
me karagjozllëkun, më e pakta që mund të thuhet, e një figure që ka drejtuar ekonominë e Kosovës.
Ish- ministri i rëndësishëm i ekonomisë e politikës kosovare citohej më 14 gusht nga Gazeta Express të ketë thënë se i gjithë shkrimi i tij në Twitter ka qenë një ironizim. Sipas tij, vaksina ruse për familjen e tij dhe atë ishte një shaka dhe një lajm i rremë. “Mos shkruani rreth saj sikur të ishte e vërtetë”, ‘urdhëronte’ më pas ish-ministri!!!
“Postimi im në Twitter rreth vaksinës ruse ka qënë ironizues dhe nuk është i vërtetë. Është diçka e përhapur në internet në formë humori. Disa nga portalet, kryesisht në Shqipëri, e kanë kthyer në një lajm kinse të vërtetë, që normalisht nuk është ashtu siç raportohet.” Kështu shkruan Z. Lluka dhe më tej i ‘siguron’ lexuesit se “familja e tij dhe ai nuk kanë ndërmënd të përdorin asnjë vaksinë pos atyre të besueshme, perëndimore, nëse një gjë e tillë duhet!”
Humor më të zi në një kohë kur hija e vdekjes vërtitet realisht në Kosovë e Shqipëri si në mbarë botën zor se mund të gjesh. E kur bëhet nga drejtuesi ndër më kryesorët i shtetit të Kosovës kjo nuk mbetet tek kufiri i humorit për tu tallur me një zhvillim mjekësor në Rusi.
Prej ditës kur presidenti Vladimir Putin u shpreh se shkencëtarët rus zbuluan vaksinën e parë, kanë reaguar ekspertë dhe liderë nga vende të ndryshme të botës, kryesisht perëndimorë të përfshirë në garën e prodhimit të vaksinës. Skepticizmi i tyre qoftë për shkak të kohës, qoftë për shkak të mënyrës së prodhimit ështe i natyrshëm. Ai lidhet me dijet e ekpertizën e tyre shkencore sikurse edhe me aspektin tjetër komercial. Këtij shqetësimi i ka bërë jehonë edhe kreu i Urgjencës Kombëtare të Shqipërisë, Skënder Brataj i cituar nga mediat shqiptare më 15 gusht. Sipas tij, vaksina e prodhuar nga Rusia nuk ka ndjekur tre fazat standarde: sigurinë, efikasitetin dhe imunitetin.
“Vaksina e regjistruar në Rusi për përdorim njerëzor nuk i ndoqi këto procedura standarte për prodhimin e tyre. Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë ajo duhej të ishte akoma në fazën e parë të provave klinike, faza në të cilin kontrollohet siguria e saj, frekuenca e dëmtimeve dhe efekteve anësore”, shkruan Brataj në FB. Ai tregon se cilat janë vaksina më premtuese dhe në fazë të avancuar në eksperimentim. Sipas tij vaksina më e avancuar është ajo e zhvilluar nga bashkëpunimi midis Oksford dhe Advent-Irbm të Pomezia, e cila ka mbërritur në fazën tre.
Pra në dy ditë shqiptarët janë paralajmëruar bujshëm kundër vaksinës anti-COVID ruse, por në forma të ndryshme. Ndërsa Dr. Brataj argumenton si specialist atë çfarë ka lexuar duke bërë shërbesën e tij si mjek në këtë krizë shëndetësore mbarëbotërore, kur në Shqipëri po bëhet qameti e paralajmërohen kohë më të tmerrshme, ish-ministri i Kosovës shkon shumë larg me imagjinatën e humorit të tij të zi duke u tallur jo me rusët por me shqiptarët në Kosovë e Shqipëri, me viktimat e virusit vdekjeprurës. Dhe më cinik bëhet ai në shfaqjen e tij tragjiko-komike kur garanton ‘besnikërinë’ ndaj vaksinave perëndimore.
Se sa u vlejnë shqiptarëve përfshirja e autoriteteve të tyre në tallje të tilla, apo tifozllëku për gara komerciale farmaceutike qofshin perëndimore, kineze, ruse, izraelite apo indiane është pa kuptim: sot të gjithë presin shpëtim prej këtij virusi vdekjeprurës që nuk njeh kufi apo kahje politike. Një vaksinë apo më shumë syresh prej kujtdo vendi qoftë është shpëtimtare e mirëpritur kudo në botë sikurse ka ndodhur në tërë historinë e luftërave kundër epidemive të tilla vdekjeprurëse!
© Argumentum