REALPOLITIK FLASH NR. 14
01 – 16 GUSHT 2020
Në këtë Rubrikë që e gjeni VETEM te “ARGUMENTUM” diplomati dhe analisti i njohur, Dr. Jorgji KOTE komenton “ shqip” me fakte dhe vetëm me 1.000 fjalë katër temat më të nxehta të periudhës 1 – 16 GUSHT.
Urgjent DETI! Me shumë vend dhe në kohën e duhur reagimi i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë më 10 Gusht mbi përgatitjet për negociatat e pritshme mbi Marrëveshjen e Detit. Sepse më 8 Qershor dhe 6 Gusht Greqia nënshkroi Marrëveshje për përcaktimin e zonave ekonomike ekskluzive detare me Egjiptin dhe Italinë dhe është në proces me Izraelin, Qipron dhe Libinë. Ishte vetë Ministri i Jashtëm grek Dendias që disa ditë më parë pëmendi publikisht nevojën e rifillimit të bisedimeve me Shqipërinë. Ja pse, diplomacia jonë duhet të dalë nga heshtja, të prononcohet e përgatitet seriozisht për këtë dosje përvëluese; që ka të bëjë dhe me negociatat me BE-në. Katalogu i gjerë përkatës përfshin objektivat, taktikat, alternativat, referencat dhe diskutimet brenda vendit me pjesëmarrje gjithëpërfshirëse; deri te caktimi i një ekipi të ri negociatorësh me konsensus maksimal. “Deti po na troket te porta”, ndaj qeveria të hapë veshët e të dëgjojë kambanat që ushtojnë fort për të.
Jo më “tërheqje litari”! Herën e kaluar nënvizuan nevojën e dialogut “ Prishtinë – Prishtinë. Ca më tepër tani që platforma e tij strategjike është bërë fare e qartë. Zv.Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Palmer i vuri pikat mbi “ i” kur tha publikisht ditët e fundit se dialogun e kryeson BE-ja, se SHBA-të e mbështesin atë plotësisht, se nuk do të ketë ndryshime/këmbime territori dhe se Beogradi duhet ta njohë Kosovën dhe antarësimin e saj në OKB. Megjithatë, në vend të dialogut të brendshëm për të kolauduar dhe kopsitur qëndrimet e përbashkëta, në Prishtinë vazhdojnë “ gër vëret politike” Vetëvendoja kërkon rrëzimin e qeverisë, Haradinaj shpall pa kurfarë konsulte me partnerin në qeveri synimin për President, të tjerë kundërshtojnë mënyrën e emërimit të koordinatorit Hyseni dhe kur korona po përparon. Ndaj, mjaft më me “ tërheqje litari”! Të gjithë tok për dialogun!
Këtë e bën më të domosdoshëm dhe Takimi i nivelit të lartë më 2 Shtator në Shtëpinë e Bardhë. Ndonëse nuk pritet ndonjë çudi, por një marrëveshje kuadër me theks te aspektet ekonomike dhe me një premtim në parim për të parë me vonë thelbin politik – njohjen e Kosovës nga Serbia. Këtë kishte si element thelbësor dhe Marrëveshja më e fundit midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe me mbështetjen e SHBA-ve. Mirëpo, megjithë rëndësinë e aspektit ekonomik, pengesa kryesore mes Serbisë dhe Kosovës është POLITIKE; aty ka “ngecur sharra në gozhdë”. Ndaj, dhe dialogu i brendshëm në Prishtinë duhet të vijojë, se vetëm kështu do të ketë shanse në Washington dhe në Bruksel.
Mesdheu “ shkund” NATO-n nga brenda!
Nëse deri tani kërcënimet NATO-s i vinin nga jashtë – Rusia, G-5, terrorizmi, sulmet kibernetike, etj, zhvillimet dhe tensionet më të fundit politike dhe ushtarake në Mesdheun Lindor midis Turqisë dhe Greqisë, ku është përfshirë në mbështetje të këaj të fundit dhe Franca, të tria vende aleate po dëshmojnë për rrezikun e ri dhe më të madh që i kanoset NATO-s, kësaj radhe “ nga brenda” Në Libi Turqia i është kundërvënë Francës dhe tani Greqisë, duke e çuar situatën në prag lufte po të mos ishte ndërhyrja vendimtare e Merkel, sepse lidershipi i NATO-s ka “ rënë squk” Por, dhe përpara tyre ka patur e vazhdojnë grindjet dhe akuzat amerikane, sidomos ndaj Gjermanisë për mosrealizimin e kuotës 2 për qind te GDP-së për shpenzimet e NATO-s, tërheqjen e 12.000 trupave amerikane nga bazat e saj ushtarake në Gjermani, sanksionet amerikane ndaj firmave europiane që ndërtojnë gasjellësin Nord Stream 2 dhe më 14 Gusht hedhja poshtë e Ptojekt – Rezolutës amerikane në KS të OKB-së lidhur me vazhdimin e sanksioneve ndaj Iranit me abstenimin e aleatëve të saj në NATO – Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe.
Këto janë sfida serioze, sepse dihet që në kur një vend antar sulmohet nga jashtë hyn në veprim Neni 5 i mbrojtjes kolektive; por, askush nuk e thotë dot se ç’do të bëhet kur dy vende antare sulmojnë njeri tjetrin?
Libani hidhet në erë!
Beiruti “ Parisi” i Lindjes së Mesme u hodh në erë më 4 Gusht pas shërthimit të 2750 ton nitrat amoni të depozituar në portin e tij qysh më 2014. 15 miliard Euro konsiderohen humbjet dhe dëmet materiale, veç mbi 200 të vdekurve e mbi 6.000 të plagosurve. Kur deri tani ai kishte 10 miliard Ruro borxhe që duhet të shlyente. Shpërthimi më 4 Gusht ishte goditja më shkatërruese që ka pësuar Libani qysh nga viti 1975 kur filloi Lufta Civile 15 vjeçare; ajo ka shkaktuar më shumë dëme se ajo Luftë dhe sulmet e Hejzbullahut, etj. Nitrat amoni ishte pasoja, por shkaku është politika e korruptuar në Liban, si pasojë e të cilës kjo sasi tejet e rrezikshme megjithë shkresat e dërguara deri në Presidencë dhe Kryeministri nuk ishte evaduar nga porti.
E pamundur të përmendet me pak fjalë korrupsioni i politikës libaneze pa kurfarë morali; liderët e tij kryesorë, përfaqësues të tri feve kryesore kanë vjedhur më shumë e se kanë dhënë në “ zonat e influencës” Libani renditet i 137 nga 182 vende për nivelin e korrupsionit. Dikur “ Zvicra” arabe, Libani ka vite që vuan për ujë të pijshëm, energji elektrike, drith, etj. Kam qenë në Bejrut në dhjetor 1978 për dy javë me punë dhe habitem që dhe sot dëgjoj po ato emra liderësh. Vetëm se atëhere kishte shpresë, sot ajo u hodh në erë bashkë me Portin e Bejrutit. Dhe një Konferencë ndërkombëtare donatorësh që dha vetëm 300 Milionë Euro, sepse nuk ka besim te klasa e korruptuar politike dhe duhen reforma rrënjësore. Macron kërkoi ndryshmin e sistemit. Por si dhe kur këtë askush nuk e di, sepse Libani është shtet i dështuar. Zoti e ndihmoftë popullin e tij bujar!
© Argumentum