Këshilli Shqiptar i Medias ka reaguar në lidhje me mesazhet shantazhuese fyese të Veliajt kundrejt gazetares Beti Njuma.
KSHM shprehet se këto mesazhet janë ofenduese dhe janë një presion i hapur për të ndryshuar linjë editoriale.
“Këshilli Shqiptar i Medias, bashkë me gazetarët dhe mediat partnere, PROTESTON fuqimisht lidhur me skandalin e mesazheve të drejtuara pronarit të Ora Neës, z. Ylli Ndroqi nga Kryetari i Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj. Siç raportohet, mesazhet janë mbi 1 një vit të vjetra, dhe nuk kanë lidhje me situatën e sekuestros ndaj z. Ndroqi të javëve të fundit. Mesazhet, përveçse fyerjeve personale e profesionale ndaj një gazetareje, janë presion i hapur për të ndryshuar linjën editoriale dhe ndërhyrje jo vetëm imorale por dhe e paligjshme në pavarësinë e medias.” – thuhet në reagimin e KSHM-së.
KSHM i kërkon Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Veliaj, të prononcohet mbi autenticitetin e këtyre mesazheve, dhe të dalë e të kërkojë falje publike.
“Këto mesazhe tregojnë dhe mënyrën kërcënuese me të cilën trajtohet media dhe presionin mbi të cilin vihen gazetarët shqiptarë nga funksionarët e zgjedhur, si Kryetari i Bashkisë së Tiranës. Ato paraqesin një frymë thellësisht anti-evropiane dhe autokratike të menaxhimit të PR-it nga ana e z. Veliaj. KSHM i kërkon Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Veliaj, të prononcohet mbi autenticitetin e këtyre mesazheve, dhe të dalë e të kërkojë falje publike, jo vetëm para gazetares Njuma, por dhe ndaj komunitetit të gazetarëve.”
Ndër të tjera, KSHM u kërkon organeve përgjegjëse të Drejtësisë të hetojnë urgjentisht autenticitetin e këtyre mesazheve.
“KSHM i kërkon organeve përgjegjëse të Drejtësisë të hetojnë urgjentisht autenticitetin e këtyre mesazheve, të cilat, në rast se provohen të vërteta, shkelin rëndë Kushtetutën e Shqipërisë nga një funksionar i zgjedhur, dhe dhunojnë lirinë e fjalës e të shprehjes. KSHM i kërkon kolegëve gazetarë, që pavarësisht qëndrimit politik, të prononcohen fort për të mbrojtur jo thjesht një kolege, por vetë profesionin e tyre dhe edhe veten e tyre nga sulme të tilla ndaj lirisë së fjalës dhe të informimit.”