Ministrja e Arsimit, Besa Shahini në një komunikim online së bashku me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri me dije se shkollat do të hapen duke respektuar protokollet e caktuara anti-COVID.
Ministrja tha se ka shkolla që mësimi mund të zhvillohet normalisht, pasi kanë pak nxënës. Ndërsa shtoi se ka edhe shkolla me numër të madh nxënësish, të cilët duhet të ndahen me turne.
Po ashtu ministrja tha se bashkitë do të duhet të fillojnë me pastrimin e shkollave. Më tej ajo ka shtuar, se 87% e nxënësve duan të kthehen në shkolla.
“Skenarët janë të ndryshëm në varësi të numrit të nxënësve. Ka shkolla që mund të vazhdojnë mësimin normalisht se kanë pak nxënës. Ka shkolla që kanë numër të madh nxënësish që duhet të organizohen në një formë tjetër. Duke i ndarë ose në më shumë turne ose duke i çuar disa nxënës te shkollat më të afërta. Ne kemi bërë një pilotim. Mund të ruajmë shëndetin duke i hapur shkollat me shumë sukses. Kemi parë edhe modelet e vendeve të huaja. Bashkitë do të duhet të fillojnë pastrimin shkollave”, u shpreh ministrja.
Nga ana tjetër, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi se po përgatitet protokolli i sigurisë, në mënyrë që të parandalohet përhapja e koronavirusit.
Ajo tha se nga eksperienca e deritanishme është vënë re se transmetimi në shkolla ka qenë i rrallë, ndërsa mori në shembull edhe hapjen e kopshteve ku tha se ka pasur raste por jo shpërthime të infeksionit të Covid-19.
“Ne si institucione nuk i kemi ndërprerë përgatitjet për të përcaktuar protokollet e sigurisë. Grupet tona janë në komunikim për protokollet ku përfshihen masat e distancimit social. Nga vëzhgimet e kryera rezulton se transmetimi I sëmundjes në shkolla ka qenë I rrallë. Ato kanë pak mundësi të përhapin virusin nëse merren masa. Kemi eksperiencën me hapjen e kopshteve ku është vënë re se pavarësisht rasteve të infeksioneve nuk kemi pasur shpërthime.
Çdo vendim po koordinohet me përgjegjësi. Qëllimi ynë është siguria e shëndetit të çdo qytetari. Une e thashë edhe dje sa I përket ecurisë së pandemisë. Zbatueshmëria e masave mbrojtëse janë parakusht edhe për hapjen e institucioneve arsimore. ISHP po përgatit protokollin e sigurisë. Ne do të vijojmë informojmë qytetarët duke kërkuar zbatimin e rregullave”, tha Manastirliu.