Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së ka prezantuar këtë të mërkurë emrat e disa prej ministrave në qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut.
Ai tha se qeveria e re duhet të bazohet tek parimi i konsensusit të gjerë, ndërsa shtoi se palët e koalicionit duhet të marrin vendime të drejta për përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Sipas marrëveshjes, BDI-ja do të drejtojë disa prej ministrive më të rëndësishme, siç është ajo e Financave dhe Ekonomisë, Ministrinë e Jashtme, kreun e Kuvendit si dhe disa ministri të tjera me rëndësi për jetën politike e shoqërore të RMV-së
Postet që do drejtohen nga BDI-ja:
- Kryetari i Kuvendit- Talat Xhaferri
- Ministria e Jashtme- Bujar Osmani
- Ministria e Financave- Fatmir Besimi
- Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër për Sistemin Politik-Artan Grubi
- Ministria e Ekonomisë- Kreshnik Bekteshi
- Ministria e Ambientit Jetësor-Naser Nuredini
- Ministria e Shoqërisë Informative dhe Administratës (Proces në konsultim për gjetjen e drejtuesit/es).
Ahmeti përmendi edhe çështjen e Naser Ziberit për të cilin tha se si person a-partiak ka kontribuar në rezultatin zgjedhor, megjithatë sipas tij Ziberi do të vazhdoj të punoj si noter derisa siç u shpreh Ahmeti “t’ja gjejmë një vend të përshtatshëm”.
Në zgjedhjet e 15 korrikut, koalicioni mes LSDM dhe BESA siguroi 46 deputetë, VMRO-DPMNE 44, BDI 15, Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 12, E majta dy dhe PDSH-ja një.
© Argumentum