Vaksina anti-covid do të jetë falas për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
Lajmin e ka bërë të ditur Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Ende nuk e dimë cili do të jetë çmimi për vaksinën, por përfundimisht shteti do të ketë një buxhet të possaçëm dhe vaksinimi do të jetë falas, tha ministri në një intervistë për “Sloboden Peçat”.
Ai foli edhe për situatën aktuale me Covid-19 në vend, pritjet për vjeshtë dhe njoftimet për blerjen e vaksinës së Oksfordit “Astra Zeneka” e cila do të përdoret në vendet anëtare të BE-së.
“Kemi dy mekanizma për momentin për blerje. Njëri është mekanizmi Kovaks, përmes OBSH-së dhe Aleancës së Imunizimit. Ne kemi nënshkruar një letër qëllimi dhe ky mekanizëm lejon që vendeve tu shpërndahen në mënyrë të barabartë vaksinat sipas madhësisë së popullsisë kur hyjnë në treg, nga secili prodhues i njëpasnjëshëm”, u shpreh Filipçe.
Vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë nënshkruar marrëveshje bilaterale me kompaninë e vaksinave në Oksford, Astra Zeneka. Ne morëm një ofertë nga Polonia që të sigurojë një sasi të përshtatshme edhe për ne, sepse nuk do të kemi mundësinë për një marrëveshje bilaterale. Konkretisht, me të dy mekanizmat, ne sigurojmë që vaksina të jetë në dispozicion të qytetarëve tanë, pa pagesë”, tha Filipçe.