Ali Ahmeti, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, BDI, në Maqedoninë e Veriut, i cili ka qenë edhe luftëtar në luftën e Kosovës 1998-1999, tha të mërkurën në mbrëmje se Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës me seli në Hagë ka kërkuar ta marrë atë në pyetje.
Ali Ahmeti ditën e hënë pritet të udhëtoj për në Gjykatën Speciale në Hagë
Ahmeti konfirmoi se ka pranuar “pa asnjë hezitim” kërkesën e prokurorëve që po hetojnë krimet e kohës së luftës dhe pasluftës nga luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK.
“Gjithmonë kam qenë ithtar i drejtësisë joselektive dhe jam në dispozicion të tërësishëm të organeve të drejtësisë për ta dëshmuar çiltërsinë e luftës çlirimtare të popullit shqiptar përballë gjenocidit të regjimit serb të Millosheviçit”, shkroi Ahmeti në Facebook.
Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk pranoi të japë informacione se përse është thirrur në Hagë Ahmeti.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk jep informacione për hetimin e tij, kështu që unë nuk mundem as të konfirmoj dhe as të mohoj asgjë”, u përgjigj Chris Bennett nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për gazetën Nezavisen të Maqedonisë së Veriut.
Ahmeti shërbeu në UÇK, e cila luftoi për pavarësinë e Kosovës nga Serbia, dhe më pas edhe në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare, e cila luftoi kundër forcave të sigurisë së Maqedonisë së Veriut gjatë një konflikti të armatosur jetëshkurtër në vitin 2001.
Pasi konflikti përfundoi me një marrëveshje paqeje që u dha shqiptarëve etnikë më shumë të drejta, në vitin 2002 Ahmeti dhe ish-liderët e drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare kombëtare formuan partinë BDI.
Që atëherë, BDI-ja ka mbetur partia më e madhe etnike shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe ka qenë në disa qeveri, përfshirë edhe atë të fundit, të udhëhequr nga social demokratët.
Ftesa për Ahmetin erdhi një javë pasi prokurorët e Hagës përfunduan marrjen në pyetje katër-ditore të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi më 24 qershor se akuzon Thaçin, si dhe politikanin e lartë të Kosovës Kadri Veseli dhe ish-luftëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara të Kosovës, ku do të gjykohen të dyshuarit, janë pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, por janë të vendosura në Holandë dhe përbëhen nga staf ndërkombëtar.
Ato u ngritën nën presionin e aleatëve perëndimorë të Kosovës, të cilët druheshin se sistemi i drejtësisë i Kosovës nuk ishte aq i fortë sa të gjykonte raste kaq të ndjeshme.
Ftesa e Ahmetit vjen gjithashtu vetëm disa ditë pas zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoninë e Veriut të 15 korrikut, ku BDI-ja e tij i përforcoi pozicionet e saj si partia më e madhe shqiptare në vend, duke fituar 15 vende në parlamentin e përbërë nga 120 vende, duke bërë që ajo të ketë përsëri rolin kryesor gjatë bisedimeve të ardhshme për formimin e qeverisë së ardhshme.
Sipas mediave në Shkup, thirrja në Hagë mund të pasohet nga dorëheqja e Ahmetit si kryetar i BDI. Artan Grubi, i cili në qeverinë e re do jetë zv.kryeministër, mund të jetë zëvendësuesi i tij në rast dorëheqje.