Disa plumba në trup dhe në kokë, i kanë marrë jetën Arben Bilalit, ish oficerit të policisë, rreth orës 14:35 minuta të mesditës së sotme.
Sipas informacioneve paraprake, tre persona të maskuar kanë qëlluar me breshëri armësh Bilalin i cili gjendej brenda makinës së tij tip “Hunday”, në stacionin e fundit të Tiranës së Re.
Policia ka shoqëruar disa dëshmitarë okularë të cilët kanë parë tre personat e maskuar të largohen me një makinë të tipit “Benz”. Një kamer sigurie pranë një biznesi, pas një peme, mendohet se ka filmuar pamjet e atentatit.(Arben Bilali i ka mbijetuar një atentati në vitin 2010 ndërsa në të njëjtin vend, në maj të 2010-ës gjithashtu, ish oficerit i vranë vëllain, Leonard Bilali, ish mundës i Dinamos.
SI I SHPËTOI ATENTATIT në maj të 2010-ës Arben Bilali:
Një muaj para se t’i vrisnin vëllain, ditët e para të majit 2010, persona të paidentifikuar tentuan të vrisnin vetë ish-oficerin duke e qëlluar me pistoletë.
Por ai i shpëtoi atentatit pasi mori mjekim në spital pas dy plagëve të marra në lokal.
Ish-polici, në shenjestër të këtij atentati ishte përfolur për një vrasje të ndodhur vite më parë edhe pse zyrtarisht nuk ishte pandehur asnjëherë për këtë krim. .
EKZEKUTIMI i vëllait të Arben Bilalit, 11 gusht 2010:
Leonard Bilali u ekzekutua me 4 plumba pistolete në një nga lokalet e kryeqytetit.
Pas ngjarjes u mësua se vrasja kishte ndodhur pas një sherri mes disa personave në lokalin ku ishte ulur Bilali. Leonard Bilali ish mundësi i Dinamos ishte i vëllai i ish-efektivit special të policisë Arben Bilali.
33-vjeçari u qëllua teksa ishte i ulur në një nga tavolinat e lokalit ‘Shijaksburg’, pranë stacionit të fundi të autobusit të Tiranës së Re, në rrugën “Irfan Tomini” në kryeqytet.
Bilali u dërgua në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak, ku ndërroi jetë si pasojë e plagëve të rënda të marra në kokë dhe në trup.
Nga veprimet e kryera hetimore autori ka qëlluar një herë në bark Bilalin dhe kur si pasojë e goditjes 33-vjeçari është përkulur ka qëlluar edhe 3 herë të tjera nga pas, në krahun e majtë. Autori është larguar më këmbë, por dyshohet se është ndihmuar edhe nga persona të tjerë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.