Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajcak është takuar sot me Skënder Hysenin, koordinatorin e caktuar nga qeveria e Kosovës për të përfaqësuar vendin.
Zyrtarët janë takuar sot për të mbyllur diskutimet e fundit, pak javë para takimit të nivelit të lartë që do të zhvillohet në Bruksel, në javën e parë të shtatorit, midis Prishtinës dhe Beogradit.
Temat e këtij takimi janë çështjet e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, të personave të zhvendosur si dhe çështjet e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, njësoj si në dy takimet e mëparshme të zhvilluara në këtë nivel.
Siç ka qenë praktikë gjatë zhvillimit të këtij dialogu prej vitesh në Bruksel, në fillim zhvillohen takimet dypalëshe mes ndërmjetësuesit Lajçak dhe delegacioneve respektive, për të vijuar pasdite me takimin trepalësh dhe bisedimet e përbashkëta për këto tema.
Delegacioni i Kosovës në nivel teknik kryesohet nga koordinatori shtetëror për dialogun, Skënder Hyseni, i cili shoqërohet nga ekspertët e fushave që diskutohen, Muhamet Mustafa dhe Ibrahim Makolli. Ndërsa pala serbe kryesohet nga drejtori i zyrës për Kosovën, Marko Gjuriç.
Ndërsa Brukseli zyrtar nuk komenton përmbajtjen e bisedimeve në nivel teknik, pohohet vetëm se gjithnjë punohet me qëllimin për të arritur një marrëveshjeje gjithpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme, e cila do të normalizonte marrëdhëniet dhe do të zgjidhte të gjitha çështjet e hapura mes këtyre vendeve.
E ndërsa nga ana e delegacionit të Kosovës përsëritet se ky është takim në nivel politik me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për njohjen reciproke, nga delegacioni serb këmbëngulet se nuk bëhet fjalë për njohje, por për zbatim të marrëveshjeve të arritura më parë, siç është për shembull ajo për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Dialogu i tretë në nivel teknik mes Kosovës dhe Serbisë vijon pas takimeve në nivelin më të lartë mes kryeministrit kosovar, Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, të cilët rinisën me 16 korrik dialogun e ndërprerë në fund të vitit 2018, për shkak të taksës prej 100% që Kosova vendosi për mallrat që vinin nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina.
Pas një jave në Uashington pritet të mbahet edhe një tjetër takim i nivelit të lartë me ndërmjetësimin e Presidentit Trump, gjë që nga Brukseli shihet si një lëvizje plotësuese që i ndihmon dialogut të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve të rajonit që gjendet në Evropë.
Ndërkohë, po në shtator pritet që ritmi i këtyre takimeve në Bruksel të rritet duke zhvilluar të paktën dy takime në muaj në nivelin më të lartë politik, si dhe nga një takim në javë për bisedimet që zhvillohen në nivelin e ekspertëve teknikë.