Shqiptarët, në krahasim me europianët, renditen ndër qytetarët e vendeve me përqindjen më të lartë për sa i përket pronësisë së shtëpive të tyre, por kanë problemet më të mëdha për sa i përket kushteve optimale që duhet të ofrojë një banesë si hapësira e mjaftueshëm, mungesë të tualeteve me ujë të rrjedhshëm, dusheve, apo të shtëpive me lagështirë dhe pa ngrohje…
Megjithëse shqiptarët janë ndër vendet me përqindjen më të lartë në Europë për pronësinë e shtëpive të tyre (87% e të pyeturve kanë pohuar se janë pronarë të shtëpive të tyre), ata vuajnë nga mungesa e hapësirave dhe kushteve minimale si prania e një tualeti apo e dushit brenda në shtëpi.
Sipas Anketës së Cilësisë së Jetës të zhvilluar nga Komisioni Europian rreth 17% e të anketuarve janë shprehur se kanë mungesë të tualetit apo dushit në shtëpi, ndërsa 43% e të pyeturve (më e larta në Europë) janë shprehur se nuk kanë mjaftueshëm hapësirë në shtëpitë e tyre. Në vendet e rajonit të anketuarit që janë përgjigjur se kanë probleme me sipërfaqen në shtëpi variojnë nga 18-26% me një diferencë të konsiderueshme me Shqipërinë.
Mesatarisht, të anketuarit, në Shqipëri janë shprehur se kanë vetëm 2 dhoma, numri më i ulët i vendeve të Bashkimit Europian dhe kandidateve për t’iu anëtarësuar.
Shqipëria mban vendin e parë edhe për cilësinë e dyerve, dritareve dhe dyshemesë, ku sipas të pyeturve në Anketën e Cilësisë së jetës rreth 23% janë shprehur se i kanë të vjetra.
Shqipëria ka rezultuar me përqindjen më të lartë të të pyeturve të cilët kanë pohuar se kanë lagështirë apo rrjedhje në shtëpi. Sipas Anketës së Cilësisë së Jetës rreth 40% e të anketuarve në Shqipëri janë përgjigjur se kanë lagështire apo rrjedhje të ujit.
Rreth 12% e të pyeturve janë përgjigjur gjithashtu që kanë mungesë të tualetit me ujë të rrjedhshëm, ndërkohë që Malin e Zi vetëm 3% e të pyeturve kanë pohuar se kanë mungesë të tij, 4% në Serbi dhe 7% në Maqedoni.
Shqiptarët kanë vështirësi edhe për të ngrohur apo për të mbajtur në temperatura optimale shtëpitë e tyre. Rreth 26% e të anketuarve në Shqipëri janë përgjigjur se nuk kanë mundësi që të ngrohin shtëpitë, ndërkohë që përqindja e të anketuarve në vendet e rajonit luhatet nga 6-16%.
Komisioni Europian ka zhvilluar Anketën e Cilësisë së Jetës në vendet e Bashkimit Europian dhe kandidatëve për tu anëtarësuar. Në secilin shtetet është marrë një kampion përfaqësues, ku të anketuarit janë pyetur mbi fusha të caktuara të mirëqenies./Monitor.al/