Libani, përballë një rreziku ekstrem, nuk mund të braktiset në vetminë e tij, u lut sot papa Françesku, në një mesazh të gjatë kushtuar vendit, në fund të audiencës së tij të përgjithshme.
Papa Françesku i thirri besimtarët e planetit në një ditë universale lutjeje dhe agjërimi për Libanin, të premten më 4 shtator, së cilës mund t’i bashkohen edhe konfesione të tjera. Ai do të dërgojë në Liban për këtë lutje krahun e tij të djathtë dhe Sekretarin e Shtetit, Kardinalin Pietro Parolin.
“Një muaj nga tragjedia që goditi qytetin e Bejrutit, mendimet e mia janë ende me Libanin e dashur, për popullsinë e tij veçanërisht të goditur”, theksoi papa Françesku, duke mbajtur në njërën dorë flamurin e vendit, të sjellë në audiencë nga një prift i ri maronit.
“Përballë tragjedive të përsëritura që po përjeton secili prej banorëve të kësaj toke, ne jemi të vetëdijshëm për rrezikun ekstrem që kërcënon vetë ekzistencën e vendit. Libani nuk mund të braktiset në vetminë e tij”, këmbënguli papa Françesku.