Gjashtë prej pedagogëve të cilët kërkojnë rrëzimin e Ligjit për Arsimin e Lartë kanë nisur mëngjesin e së premtes një takim me ministren Besa Shahini.
Pedagogët në takim me ministren janë: Mark Marku, Agron Gjekmarkaj, Marinela Sota, Altin Shegani, Jani Marka dhe Erika Bejko.
Ata i kishin lënë deri sot afat ministrisë për të reaguar për kërkesat e tyre, në të kundërt do të nisnin grevën në mbështetje të kërkesave të studentëve, dhe për rrëzimin e ligjit të Arsimit të Lartë.
Lista e plotë e kërkesave:
Rinkonfirmojmë mbështetjen e studentëve për kërkesat e tyre.
Shprehemi kundër Ligjit “Për arsimin e Lartë” 80/2015, si dhe kërkojmë shprehjen e vullnetit të qeverisë për fillimin e procesit legjislativ për hartimin e një ligji të ri për Arsimin e Lartë, në bashkëpunim me studentë, pedagogë dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm, në një proces konsultimi të hapur dhe gjithëpërfshirës.
Kërkojmë shfuqizimin e menjëhershëm të VKM-ve të datës 26 dhjetor 2018: Nr.777, Nr.781, Nr. 783, si dhe urdhrat po të datës 26 dhjetor: Nr.183: Nr.184: Nr.185, të cilat bien në kundërshtim me autonominë universitare dhe lirinë akademike.
Kërkojmë rritjen e buxhetit për arsimin e lartë publik, si dhe ndalimin e menjëhershëm të fushatës denigruese ndaj pedagogëve dhe miratimin e statusit të pedagogut./dita