Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim, pas një vizite në Shkodër ku u takuam me kryetaren e Bashkisë znj.Voltana Ademi apeloi për formimin sa më parë të Gjykatës Kushtetuese.
“Shqipëria ka kohë pa një Gjykatë Kushtetuese dhe kjo nuk është një situatë e pranueshme për një vend anëtar të NATO-s dhe që synon për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, sikurse e kam thënë dhe më parë opinioni i Komisionit të Venecias ka dhënë mundësi për të ecur përpara dhe jemi shumë të kënaqur se edhe kryeparlamanetari Ruçi ka rënë dakord se deri në fund të vitit duhet të ngrihet Gjykata Kushtetuese,” – u shpreh Ambasadorja Kim.
Deklaratën Ambasadorja Kim e bëri pas një takimi që ajo pati me kryetaren e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademin. Ajo foli për gazetarët duke treguar se me Ademin kishte diskutuar rreth problemeve me situatën e fundit të pandemisë dhe për rëndësinë e pjesëmarrjes politike.
“[…] rëndësinë që udhëheqësit politikë të lënë mënjanë ndasitë dhe të bashkohen për një kauzë të përbashkët dhe rëndësinë që të rinjtë nuk duhet ta humbasin kurrë shpresën,” – tha ambasadorja Kim e cila tregoi se do të qëndronte në Shkodër për dy ditë për të vizituar të gjitha sitet turistike të qytetit.
Gjatë deklaratës për gazetarët Ambasadorja Kim u shpreh e kënaqur nga zhvillimi i fundit i palëve politike për t’u takuar dhe diskutuar rreth zhvillimeve të tjera të reformës zgjedhore.