Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, ndodhet në Shkodër ku ka folur për mediat për situatën politike në vend. Ajo tha se është e rëndësishme që udhëheqësit politikë të lënë mënjanë ndasitë dhe të bashkohen për një kauzë të përbashkët. Sipas saj, Shqipëria është një vend sovran dhe vendimet përfundimtare i përkasin drejtuesve të vendit dhe jo ambasadores amerikane.
Kim iu përgjigj pyetjes së gazetarëve në lidhje me ndryshimet kushtetuese ku tha se është lajm i mirë që palët do të mblidhen sërish, kësaj here në komisionin e posaçëm për zgjedhjen e KQZ-së. Ajo u shpreh se udhëheqësit shqiptarë “kanë një përgjegjësi që nuk mund t’i largohen”.
“Folëm edhe për rëndësinë e pjesëmarrjes politike dhe rëndësinë që drejtuesit, udhëheqësit duhet të lënë mënjanë ndasitë politike dhe të bashkohen për një kauzë të përbashkët. Mendoj që është përgjegjësi e drejtuesve, udhëheqësve politikë shqiptarë dhe jo ambasadores amerikane. Do luaj një rol në mbështetjen e këtyre përpjekjeve, por ky është një vend sovran dhe zyrtarët e zgjedhur kanë një përgjegjësi që nuk mund t’i largohen. Mendoj që është një lajm i mirë që palët politike të mund të mblidhen sëbashku për të diskutuar për çështje që mund të bien dakord. Jam i sigurt që do të zhvillohen debate të suksesshme. Jam e sigurt që në fund do të arrijnë një kompromis për qytetarët shqiptarë”, tha Kim.
Ambasadorja komentoi edhe punën e SPAK. Ajo u shpreh se Prokuroria e Posaçme duhet të jetë funksionale. Kim ripërsëriti se disa persona po pengojnë dhe shtantazhojnë punën e këtyre prokurorëve.
“Është koha që SPAK-u të jetë plotësisht funksional. Kemi parë që disa po përpiqen të pengojnë në punën e tyre e t’i shantazhojnë. Është koha që t’u qëndrojmë fort këtu personave që po përpiqen t’i bullizojnë”, tha Kim.
Ambasadorja amerikane do të qëndrojë në Shkodër për dy ditë./h.e