Kryeministri Edi Rama do të jetë në Athinë në datat 15 dhe 16 shtator.
Lajmi është njoftuar nga qeveria greke, e cila konfirmoi pjesëmarrjen e kryeministrit Rama në cilësinë e kreut të OSBE në takimin që do të mbahet ne Grand Resort Lagonisi të Athinës, organizuar nga “The Economist”.
Rama pritet të mbërrijë në Athinë pasditen e datës 15 shtator dhe do të largohet pasditen e datës 16 shtator.
Rama do të jetë në forumin e “The Economist” në një panel me të motrën e kryeministrit grek, ish ministren e jashtme, Dora Bakojanis që në 2009-ën firmosi me Lulzim Bashën marrëveshjen e detit mes të dy vendeve, e që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. (Temë që rihapet nga e para dhe me gjasë do të bisedohet mes Ramës dhe Mitsotakis).
Në panelin për Ballkanin do të jetë edhe kryeministri i Maqedonsië së Veriut, Zoran Zaev dhe Kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borrisov.
Ende nuk është konfirmuar axhenda e detajuar e kryeministrit shqiptar jashtë forumit, por nga Greqia konfirmohet një takim mes tij dhe homologut, Kyriakos Mitsotakis, ministrin e jashtëm Nikos Dendias si dhe me eksponentë të rëndësishëm të politikës vendase dhe asaj ndërkombëtare.
Nuk dihet nëse pjesë e këtyre takimeve do të jetë edhe fillimi i diskutimit për marrëveshjen e Detit për të cilën deri tani, Rama është shprehur se nuk ka një të tillë. Takimi mes tyre ndoshta mund t’i shërbejë edhe fillimit të punës në këtë drejtim./h.e