Presidenti i Republikës Ilir Meta e ka cilësuar nismën për rikthimin e ligjit antishpifje një model të presidentit Bjellorus Lukashenko dhe nismë për të censuruar median. në reagimin në facebook, kreu i shtetit ka sjellë në vëmendje dhe raportin e Komisionit të Venecias i cili e konsideroi draftin e parë të papranueshëm.
Solidarizohem me shqetësimin e organizatave të gazetarëve për riaktivizimin e përpjekjeve për të miratuar sërish një ligj për censurën e medias, në mungesë transparence dhe pa marrë parasysh opinionin e Komisionit të Venecias, që konfirmoi qëndrimin e drejtë që kam shprehur me dekrete për mos pranimin e paketës antikushtetuese “anti-shpifje” të qeverisë.
Sipas përfaqësuesve të organizatave të gazetarëve: “Autoritete të larta të shumicës në qeveri kanë urdhëruar që ky ligj duhet bërë shpejt. Kjo duket qartë që është kopje e së njëjtës përpjekje flagrante e qeverisë për të goditur mediat. Dyshimet janë shumë të forta që ligji ka vetëm një qëllim brenda vetes: të godasë, intimidojë dhe të mbyllë gojën e mediave kritike”.
Risjell në vëmendje se këto ligje jo vetëm që nuk janë në harmoni, por bien në kundërshtim me:
– Parimet themelore kushtetuese të ndërtimit të një shteti demokratik, sigurisë juridike dhe të proporcionalitetit;
– Dispozitat kushtetuese që mbrojnë të drejtën e lirisë së shprehjes, të lirisë së shtypit dhe të drejtës së informimit;
– Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, vendimet e së cilës përbëjnë norma të detyrueshme për zbatim;
– Nuk janë në harmoni me standartet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut;
– Nuk janë në harmoni me jurisprudencën e Gjykatës Europianë të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ)
I bëj thirrje të fortë Qeverisë dhe Kuvendit njëpartiak të tërhiqet nga MODELI I NEVERITSHËM LUKASHENKO për censurën në media dhe të mos vijojë në errësirë me planet për të vënë në fuqi një ligj që bie ndesh qartazi me Kushtetutën dhe Opinionin e Komisionit të Venecias.
Si Presidenti i Republikës kam folur qartë kundër këtyre iniciativave edhe me Dekretin Nr.11413, datë 11 janar 2020, që nuk duhet të vazhdojë të mbahet i fshehur në sirtarët e Kuvendit, por duhet pranuar menjëherë.
Liria dhe pavarësia e medias është një nga kushtet kryesore të Bashkimit Europian dhe pa garantuar lirinë e shprehjes nuk ka demokraci dhe nuk mund të ketë çelje të negociatave për anëtarësim.
Duke risjellë në vëmendje përkeqësimin në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias të bërë publik në raportin vjetor të “Reporterëve pa Kufij”; Qëndrimet e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, konkluzionet e “Freedom House”, Raportin e Qendrës për Pluralizëm dhe Liri Mediatike, si edhe shqetësimet e bëra publike nga organizatat më prestigjoze botërore e europiane të gazetarëve për hapat pas që vendi ynë ka shënuar sa i përket lirisë së medias, garantoj se do të jem përherë në krah të gazetarëve të pavarur e kurajozë për të mos lejuar kurrë instalimin e MODELIT TË NEVERITSHËM LUKASHENKO në Shqipëri.
Duke shprehur solidaritetin më të fortë me të gjithë gazetarët që janë në një presion brutal nga të gjitha drejtimet, përsëris edhe një herë thirrjen, ftesën dhe angazhimin tim të sinqertë për të themeluar së bashku një media transparente, ku çdo shqiptar të jetë aksioner, për përmbysjen njëherë e mirë të regjimit të neveritshëm që synohet të instalohet në media.