I ashtuquajturi “Memorandum sqarues” të cilin Sofja zyrtare ua ka dërguar vendeve anëtare të BE-së, përmban dy kushte dhe një tezë për identitetin maqedonas dhe gjuhën. Me këtë memorandum Bullgaria kërkon ndihmë nga vendet anëtare për pozitat e saja ndaj avancimit të Maqedonisë në BE.
Sofja po kërkon mbështetje nga Bashkimi Evropian, që në kuadër të kornizës negociuese mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, të futet edhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë, që dy shtetet e nënshkruan në vitin 2017.
Në këtë dokument prej gjashtë faqesh, siç mëson Radio Evropa e Lirë, Bullgaria kërkon mbështetjen e vendeve anëtare të BE-së që “Marrëveshja për fqinjësi të mirë mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, të përfshihet në kapitullin 35 të kornizës negociuese për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian”.
Në memorandumin e Bullgarisë theksohet se “gjuha maqedonase nuk ka ekzistuar deri në 2 gusht të vitit 1944 dhe se formimi i kombit maqedonas është projekt i Beogradit gjatë periudhës mes dy luftërave botërore”.
Korniza negociuese mes Shkupit dhe Brukselit zyrtar, u prezantua në korrik të këtij viti nga Komisioni Evropian. Shkupi tha se pret që teksti final i kësaj kornize negociuese për anëtarësimin e shtetit në BE, të publikohet më së voni në tetor të këtij viti.
Ekspertët e palës maqedonase të kyçur në bisedimet mes dy vendeve fqinje theksojnë se pas disa muajve pauzë – përkatësishtnga dhjetori i vitit të kaluar, për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut – gjatë këtij muaji pritet të takohet Komisioni në nivel ekspertësh të Shkupit dhe Sofjes zyrtare, ku do të diskutohet për shumë çështje kontestuese.
Ndryshe, Marrëveshja për fqinjësi të mirë mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, u nënshkrua më 2 gusht të vitit 2017. Kjo marrëveshje ka për synim zgjidhjen e kontesteve mes dy vendeve fqinje, që kanë të bëjnë kontestimin e gjuhës maqedonase nga ana e Bullgarisë si dhe kontesteve rreth ngjarjeve historike deri në vitin 1944, përkatësisht prejardhjen e heroit të dy vendeve, Goce Dellçev, rolin e VMRO-së (organizata e brendshme revolucionare maqedonase) dhe Kuvendin e Ilindenit, që kishte shpallur pavarësinë e shtetit të parë maqedonas, më 2 gusht të vitit 1903.