Gjiganti i vlerësimit të kreditit, Standard and Poor`s, ka mbajtur të pandryshuar në B+ me perspektivë të qëndrueshme notën e borxhit sovran të Shqipërisë.
Sa i përket rreziqeve fiskale, ajo që bie në sy që në fillim të njoftimit për shtyp është paralajmërimi në lidhje me PPP. Skemat e partneritetit publik privat vazhdojnë të përbëjnë një rrezik thelbësor fiskal, thotë Standard and Poor`s për Shqipërinë. Ndër të tjera, agjencia projekton vullnet të autoriteteve shqiptare për konsolidimin fiskal si dhe një rënie graduale të normës së borxhit publik në raport me PBB. Rritja ekonomike projektohet pranë 4% mesatarisht deri në 2022.
Sa i përket vitit aktual, rritja ekonomike projektohet në 3.9%, sërish poshtë projeksioneve të qeverisë, që flasin për 4.3%, por mbi ato të Bankës Botërore, dhe FMN, që janë në 3.6% dhe 3.7% respektivisht. Në dy vitet e ardhshme, agjencia paralajmëron një rritje të notës së borxhit sovran në rast se do të vihet re një përkushtim më i madh në konsolidimin fiskal dhe sidomos një trajektore rënëse më domethënëse e borxhit publik.
Por, nga ana tjetër, gjatë dy viteve të ardhshme, nota e borxhit mund edhe të ulet në rast se do të konkretizohen disa rreziqe, si ai i PPP. Materializimi i detyrimeve të prapambetura si rrjedhojë e këtyre projekteve, mund të çojë në zhvlerësim të Shqipërisë, paralajmëron S&P. Agjencia flet edhe për ndryshimet më të fundit në qeveri. “Pavarësisht zëvendësimit të disa ministrave të kabinetit, ne presim që qeveria të vazhdojë përpara me reformat strukturore, por janë të mundura vonesa në implementimin e tyre.
“Ne nuk presim që zëvendësimi i 7 ministrave, ose gjysmës së kabinetit, do të përkthehet në një ndryshim të politikave aktuale të qeverisë”-thotë më tej agjencia. Pritshmëritë tona janë që, Partia Socialiste, fituese e vetme e zgjedhjeve të 2017-ës të implementojë reformat në ekonomi, administratën publike dhe veçanërisht në gjyqësor. Vrulli i reformave mund të ngadalësohet në muajt në vijim me ministrat e rinj, thotë më tej S&P.
Në lidhje me këtë njoftim të S&P ka reaguar edhe ish ministri i financave dhe ekonomisë, si dhe aktualisht kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, i cili i ka përshëndetur gjetjet dhe projeksionet për ekonominë shqiptare.