Gent Cakaj ka pasur dje takimin e parë si Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, de facto. Ai ka marrë pjesë në Samitin e Ministrave të Jashtëm të BE-së dhe vendeve të Ballkanit që u zhvillua në Bukuresht në kuadër të presidencës rumune të Këshillit të Ministrave të BE-së.
Por Cakaj është përballur me një situatë befasuese nga Ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç, i cili nuk ka mundur të mos e shigjetojë zv.ministrin shqiptar që vjen nga Kosova.
Meqënëse në takim përveç tij ishte dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës Behxhet Pacolli, Daçiç ka kërkuar shkas për ta parë këtë si provokim duke e nisur takimin me shigjetime.
Në përpjekje për të vënë në pozita të vështira Cakajn përballë liderëve europianë, Daçiç ka shprehur shqetësim përse Kosova ka dy ministra të jashtëm në tryezë.
“Pse Kosova ka dy ministra të jashtëm në tryezë? Ky është një provokim i rëndë që na bëhet nga ministri i jashtëm Edi Rama”, ka thënë Daçiç.
Por ministri i deleguar Gent Cakaj nuk ia ka lënë mangët dhe i ka kthyer një përgjigje të shpejtë Dacic që ka shkaktuar ilaritet në sallë.
Nisur nga fakti që Daçiç është nga Prizreni, ministri Cakaj i ka kujtuar se duhej të ishte skandalizuar më herët.
“Në fakt zoti ministër ju duhet të ishit skandalizuar më parë, sepse Kosova i ka pasur dy, dhe ka një fjalë që thotë nuk ka dy pa tre! Ju jeni nga Prizreni apo jo, por përfaqësoni këtu Serbinë, ndërsa unë po jam shqiptar nga Kosova dhe përfaqësoj Shqipërinë!”, i tha Cakaj Daçiçit.
…
“Vlen të theksohet se, Shqipëria ka marrë një vlerësim për faktin që politika e saj e jashtme është në përputhshmëri të plotë me parimet e politikës së jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Europian. Ky takim ofroi edhe një mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e një vargu takimesh bilaterale me homologët e vendeve të ndryshme të Bashkimit Europian, me ç ‘rast patëm mundësinë të komunikojmë rezultatet kryesore të reformave të arritura në Shqipëri dhe natyrisht, domosdoshmërinë e hapjes së negociatave në qershorin e këtij viti. Procesi i zgjerimit vazhdon të mbetet një prej prioriteteve qendrore të presidencës rumune dhe përgjatë të gjitha takimeve që kemi pasur me homologët e Bashkimit Europian, kemi marrë një vlerësim jashtëzakonisht pozitiv për ecurinë e deritanishme të procesit të hapjes së negociatave për anëtarësim,” – u shpreh zoti Cakaj rreth Samitit.
Gjithashtu, ai pohoi se edhe puna e deritanishme Shqipërisë me procesin përafrimit të legjislacionit me BE-në ka marrë vlerësime pozitive.