Kievi zyrtar paralajmëron një njohje të mundshme të shtetit të Kosovës. Paralajmërimi është bërë nga zëvendësministri i Jashtëm ukrainas, Vasyl Bodnar, i cili ndodhet për një vizitë në Shqipëri me rastin e hapjes së Ambasadës së Ukrainës në Tiranë. Sipas zëvendësministrit të Jashtëm të Ukrainës, nuk duhet të bëhen paralele mes Kosovës dhe Krimesë pasi, sipas tij, janë dy gjëra krejt të ndryshme nga njëra-tjetra.
Në janar të këtij viti Ukraina njoftoi përmes ministrit të Jashtëm, Vadym Prystaiko, se do të hapë ambasadën në Tiranë. Ai e tha këtë në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin shqiptar Edi Rama, njëkohësisht edhe kryetar i përgjithshëm i OSBE-së, gjatë vizitës së këtij të fundit në Kiev. Ministri Jashtëm, Vadym Prystaiko, gjithashtu tha se pret që ky vit të jetë një “vit i lulëzimit” të marrëdhënieve midis Ukrainës dhe Shqipërisë. Hapja e Ambasadës së Ukrainës në Shqipëri u bë realitet në fillim të shtatorit të këtij viti, ku ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov, ia paraqiti letrat kredenciale presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.
Gjatë këtij viti marrëdhëniet bilaterale Shqipëri-Ukrainë njohën një zhvillim të rëndësishëm, me hapjen e misionit diplomatik shqiptar në Kiev dhe hapjen e Ambasadës së Ukrainës në Tiranë. Këta hapa, në përvjetorin e 27-të të marrëdhënieve diplomatike, shënuan një zhvillim të ri në fuqizimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit midis të dy vendeve. Për sa i përket aneksimit të Krimesë nga Rusia, Shqipëria ka mbajtur një pozicion të qartë dhe të palëkundur në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës, në të njëjtën linjë me pozicionin e BE-së dhe të SHBA-së.