Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, i cili gjendet në Budapest, në intervistën e parë pas arratisjes nga Maqedonia, ka zbuluar rrugën e tij të lëvizjes duke kaluar nga Shqipëria.
“Nga Maqedonia u largova shumë thjesht, shkova në Shqipëri, u paraqita në Ambasadën hungareze në Tiranë ku kërkova azil politik dhe nga atje shkova në Hungari, me mënyrën që e vendosën ata pas konsultimeve, për shkak se gjatë kohë kam qenë kryeministër, për shkaqe sigurie, të transportohem nga ata deri në Hungari”, tregoi ai.
Ai në këtë intervistë thotë se ka shfrytëzuar letërnjoftimin e tij, por duke mos zbuluar nëse e ka përdorur gjatë daljes nga Maqedonia, apo nëse ka patur ndihmë gjatë arratisjes.
“Për këtë nuk mund t`ju jap përgjigje. Do t’ia lë autoriteteve të punojnë në këtë drejtim, për shkak se paralajmërojnë se do të zbulojnë gjithçka. Pasi arrita në Shqipëri, lëvizja ime e mëtutjeshme ka qenë me letërnjoftim”, shtoi ai.