Prej muajsh në Bullgari po protestojnë shumë kundërshtarë të qeverisë. Ata kërkojnë reforma, masa kundër korrupsionit e shpërdorimit të parave të BE dhe shpresojnë në mbështetjen e BE.
“Unë e kam ndjekur edhe më parë situatën në Bullgari – por jam befasuar shumë kur kam parë këtu se sa e keqe është gjendja”. Eurodeputeti ekologjist Daniel Freund ka ndjekur ditën e 76 të protestave në Sofje. Ai mbështeti luftën kundër korrupsionit me fjalët: “Korrupsioni është problem në Evropë. Ne në BE duhet të jemi të bashkuar në luftën kundër korrupsionit.”
Gjermani ka qenë tre ditë me radhë në Bullgari për t’u informuar me akuzat për shpërdorimin e parave të BE nga qarqet qeveritare bullgare. Daniel Freund ka biseduar edhe me një përfaqësues të një ministrie. “Ai më ka shpjeguar se si ndodh korrupsioni në praktikë”, thotë ai.
“Më ka treguar se si manipulohen tenderët publikë, në mënyrë që të fitojnë firma të caktuara”, tha Freund në bisedë me DW. “Nëpunësit detyrohen të bëjnë atë që ju thuhet, sepse nga këto gjëra varen edhe rrogat e tyre.”
Protestat në Bullgari kanë filluar para më shumë se dy muajve. Pjesëmarrësit kërkonë dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Boiko Borisov dhe kryeprokurorit Ivan Geshev. Demonstratat kanë nisur për shkak të bastisjeve të zyrave të presidentit Rumen Radev, në fillim të korrikut, si dhe të politikanëve opozitarë.
Akuzat e rënda
Mijëra kundërshtarë të qeverisë kërkojnë një fillim të ri, i cili mund të ndodhë vetëm pas reformës së plotë juridike dhe një lufte të vendosur kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të mjeteve të BE. “Ne i kemi treguar mbarë botës dhe në radhë të parë BE-së se mbreti ka dalë lakuriq. Jo vetëm lakuriq por edhe i mbrapshtë”, thotë Nikolaj Haxhigenov, avokat dhe iniciator i protestës.
Demonstruesit presin më shumë mbështetje nga Evropa. Ata kritikojnë Partitë konservatore Popullore Evropiane (EPP) dhe në radhë të parë ato gjermane CDU dhe CSU, për shkak të injorimit të këtyre problemeve me korrupsionin, mangësive në sistemin juridik dhe shkeljen e të drejtave të mediave në Bullgari.
Letra dërguar Angela Merkelit
“Si do ta përshkruanit partneritetin mes CDU-së dhe Partisë GERB, përkundër skandaleve të shumta korruptive dhe mangësive në respektimin e të drejtave?”, ishte pyetja e studentëve bullgarë në Gjermani, drejtuar kancelares Angela Merkel në një letër. “Ne kemi mbështetjen e partive popullore”, tha deputeti bullgar i GERB, Toma Bikov. Sipas tij, kundër GERB janë vetëm socialdemokratët evropianë, e majta dhe liberalët.
Shtimi i zërave kritikë
Zërat kritikë janë shtuar dhe ata kërkojnë përmirësimin e sistemit juridik në Bullgari, thotë eurodeputeti Daniel Freund. Por ende po hezitojnë përfaqësuesit e partive popullore evropiane. Protestuesit në Bullgari shpresojnë se qeveria do të japë llogari. Në protesta ka shumë flamuj të Evropës, ndonëse presidenti konsiderohet si prorus. “Ajo që më duket shumë pozitive është se në protesta marrin pjesë shtresa të ndryshme dhe dëgjohen ide të ndryshme politike”, thotë Daniel Freund duke shtuar se “ata nuk kanë humbur shpresën ndaj BE-së”. Ndërsa Nikolaj Haxhigenov shpreson se Bullgaria “një ditë do të ketë zgjedhje transparente dhe demokratike”.
Eurodeputetja holandeze Sophia in ‘tVeld (Democraten 66) thotë se situata në Bullgari është “shqetësuese”. “Pas qëndrimit në Bullgari ajo tha se në këtë vend ka probleme serioze me sistemin juridik, liritë e mediave dhe të drejtat e njeriut.
Me 5 tetor në Parlamentin Evropian do të ketë një debat për gjendjen në Bullgari. Daniel Freund do të raportojë për gjendjen dhe kritikat e dëgjuara në protesta./dw