Nga Enver Bytyçi
Gjatë shekullit XIX bota dhe sidomos Europa ruajtën ekulibrat e paqes permes ekuilibrit të forcës së tyre. Nga Kongresi i Vjenës e deri në Konferencën e Versajës ky parim u ruajt duke forcuar bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e këtyre Fuqive, me qëllim respektimin e rregullave ndërkombëtare të kohës. Harmonia njerëzore u ruajt asokohe sipas një parimi të njohur me emrin multilateralizëm. Pavarësisht procesit të krijimit të kombeve dhe shteteve-komb, paqja dhe ekulibri i Europës u ruajt në mënyrë të admirueshme. Në Versajë u promovua koncepti dhe e drejta e vetëvendosjes, gjë që do të duhej të çonte në zhvillimin e një bote multipolare. Por nuk ndodhi kështu.
Eksperienca e shekullit XX na mëson se kur ky ekuilibër prishet e nuk respektohet, atëherë bota shkon drejt katastrofave globale, siç edhe ndodhi në dy Luftrat Boterore. Ndërsa periudha e Luftës së Ftohtë provoi se bota, ndonëse i nënshtrohet konflikteve lokale, ajo përjeton frikën dhe ankthin e një katastrofe nukleare të frikshme. Se çfarë përfaqëson kjo lloj frike, u pa në rastin e Çernobilit në Ukrainë, ndërsa njerëzimi këtë ndjenjë po e provon gjithashtu gjatë këtij viti, kur po përballet me pandeminë Covid-19.
Bazuar në këto eksperienca të sipërthëna të hënën e kaluar gjatë përkujtimit të 75 vjetorit të themelimit të OKB-së, 45 vende anëtare të saj bënë thirrje për rikthim në ekulibrin që krijon për paqen e stabilitetin global ajo që quhet multilateralizëm. Kjo lëvizje për një botë multipolare dhe multilateraliste lindi në prill 2019 me krijimin e një lloj aleance prej 20 shtetesh dhe me iniciativën e Gjermanisë e Francës. Por një vit më vonë shohim se Kina është bërë një nga vendet më aktive të avancimit të idesë së një bote të tillë.
Në fakt, nga pikëpamja e interesave të ngushta, Kina do të donte që bota e sotme të ishte bipolare, sepse tashmë ajo është ngjitur në vendin e dytë në botë si një fuqi e madhe ekonomike, ushtarake, politike dhe e para nga pikëpamja demografike. Zhvillimi i teknologjisë kineze konkuron atë amerikane dhe të vendeve të tjera më të zhvilluara industriale në botë. Ndërkohë që ajo jep 10-12 herë më shumë produkt të përgjthshëm shoqëror sesa vende të tjera, të cilat pretendojnë të ruajnë peshën e fuqisë bipolare në botën e sotme. Në një botë bipolare përfitimet kineze do të ishin më të mëdha, sepse bota dhe resurset e saj, lufta dhe paqja, ekulibri i influencave dhe ndikimit do të ishin në favor të saj.
Megjithatë presidenti kinez, Xi Jinping, bëri thirrje të hënën e shkuar për një rritje të rolit të vendeve të vogla dhe atyre në zhvillim në OKB, duke promovuar politikat multilaterale të Pekinit. Një politikë e tillë e shpërndarjes dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, bazuar në drejtësinë e mirëkuptimin, e bën botën më të paqtë, më të qëndrueshme dhe më të drejtë. Multilateralizmi është promovim i politikave globaliste. Kjo do të thotë më shumë bashkëpunim, më shumë mirëkuptim, më shumë transparencë dhe më pak dhunë, presion e konflikte. Ndoshta pandemia Covid-19 mund të bëhet shkaku i një modelimi të ri edhe të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila ka shumë nevojë për një reformë të thellë, me qëllim që të çlirohet nga ndikimi i interesave të Fuqive të Mëdha. Në këtë rast multilateralizmi do të merrte kuptimin e vërtetë të tij.
Por a janë të gatshme Fuqitë e Mëdha ta përqafojnë dhe mbështesin idenë dhe politikën globale të multilateralizmit? Idetë dhe ndikimi i nacionalizmave nuk lejon krijimin e një bote globale të shoqëruar me zhvillimin e barabartë të vendeve të ndryshme pavarësisht nga vendi që zënë në planet. Përhapja e multilateralizmit ndihëmon që harmonia njerëzore të realizohet me sukses.
Epoka e re që tentohet ndërtohet e të të quhet multilateralizëm ose globalizëm është epokë e një ekuilibri dhe harmonie unike në historinë e botës. Në këtë epokë synohet të krijohet jo vetëm ekuilibri i së drejtës dhe barazisë midis popujve, kombeve dhe shteteve, por edhe midis rracave, minoriteveve, pakicave dhe individëve, bazuar në një qeverisje të së drejtës. Kina ka favorin se në këtë experiencë vjen me përvojën mijëravjeçare që nga periudha e Konfucit!
Frymëzuar nga idetë konfuciane të drejtësisë dhe barazisë presidenti kinez Xj Jinping parashtroi në Videokonferencën kushtuar 75 vetorit të OKB-së disa propozime konkrete, mbi të cilat duhet të mbështetet koncepti për një botë multipolare dhe globaliste. Pasi premtoi dhjetra milionë dollarë amerianë për agjencitë e zhvillimit të OKB-së, ai kërkoi më shumë solidaritet e më pak konflikt në teatrin e sotëm të konflikteve ndërkombëtare. Kjo e kushtëzuar me rritjen e rolit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. “Ne duhet t’i themi jo unilateralizmit e proteksionizmit dhe të punojmë për të siguruar funksionimin e qëndrueshëm dhe të lirshëm të zinxhirëve globalë të industrisë dhe të furnizimit,” tha Xi në videoconference. Propozimet e tij që të vihet jeta e njerëzve në themel të vëmendjes ndërombëtare, që të ndihëmohen vendet e varfëra dhe në zhvillim, që bota të mos dominohet, por të jetojë në solidaritet, mbeten të pakontestueshme dhe në pajtim me krijimin e kushteve globale për shoqërinë multilaterale. Politizimi i situates së Covid -19 si dhe grindjeve e konflikteve ekonomike e për treg është e kundërta e solidaritetit dhe angazhimit për vendosjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë ndërkombëtare.
Multilateralizmi dhe globalizmi janë premisat e krijimit të asaj që predikoi Immanuel Kant në shekullin e XVIII për një qeverisje globale. Dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara mund të shndërrohet perms një reforme rrënjësore në promotor të kësaj qeverisjeje. Idetë e presidentit Xi Jinping për rolin e OKB-së në kohët e sotme ndihëmojnë realizimin e objektivave të tilla./CRI