Asnjë plan i asnjë qeverie moderne britanike deri më sot nuk ka qenë kaq i zymtë sa marrëveshja e Brexit, shkruan The Economist. Marrëveshja e tërheqjes, një prej pikave kryesore gjatë qeverisjes së Theresa May, për të cilën ajo po diskuton prej dy vitesh me Bashkimin Europian, nuk arriti të miratohej pas një debati pesëditor me 432 vota kundrejt 202. Edhe mbështetësit e saj konservatorë votuan kundër saj.
Largimi nga BE-ja është burimi i të gjitha problemeve.
Rreth tre vjet më parë, në sondazhin më të madh të zgjedhjeve në historinë e vendit, britanikët votuan në një referendum për t’u larguar nga BE-ja. Megjithatë, Parlamenti, i zgjedhur një vit më vonë nga po të njëjtët votues, i ka gjykuar kushtet e daljes si të papranueshme. BE-ja ka shfaqur pak dëshirë për të rinegociuar. Kryeministrja britanike po vazhdon me kokëfortësi në këtë drejtim. Por nëse ky mister ndërmjet Britanisë dhe BE-së nuk do të zgjidhet deri më 29 mars, Britania do të largohet pa nënshkruar asnjë marrëveshje.
Për të shmangur këtë katastrofë, një prej zgjidhjeve mund të jetë shtyrja e afatit nga BE, pra t’i kërkohet kësaj të fundit më shumë kohë.
Por edhe nëse do t’u shtyhet afati dhe do të kenë kohën në anën e tyre, deputetët britanikë nuk kanë gjasa të bien dakord për një zgjidhje të enigmës së madhe të Brexit, se cilat janë kushtet e daljes nga BE, që do të përmbushin vullnetin e popullit? Duke qenë se çdo javë deputetët po dështojnë në dhënien e një përgjigje ndaj pyetjes së mësipërme, atëherë i mbetet vetë popullit që t’i japë asaj zgjidhje dhe të vendosë në një referendum të dytë.
Debati i fundit në Parlament ishte rezultat i ecurisë së gabuar politike të dy viteve të fundit. Referendumi i 2016-s u mbyll me një fitore prej 52% ndaj 48%. Megjithatë, në vend që të konsultoheshin me pjesën që humbi, znj. May dhe partia e saj ndoqi një linjë të ashpër Brexit, përpiluar me ngut së bashku me një grup këshilltarësh dhe që kryesisht synonte të merrte miratimin e Partisë së saj Konservatore. Pasi humbi shumicën e saj në vitin 2017, nevoja për të arritur konsensusin u bë më e qartë, por nuk ishte më aq e lehtë.
Edhe pasi Parlamenti vendosi që të marrë një vendim për të votuar për marrëveshjen përfundimtare, ajo nuk u tërhoq nga ideja e saj, përkundrazi vendosi që të pengonte votimin e Parlamentit duke kërkuar shtyrjen e afatit. Nëse në të kaluarën ajo ka fituar një numër të madh të mbështetësve, pikërisht nga fakti që ishte shumë e bindur dhe e qëndrueshme në idetë e saj, tani është po e njëjta cilësi ajo që po shndërrohet në armikun kryesor.
Premtimi i Kryeministres pas humbjes dërrmuese të javës së kaluar për të bashkëpunuar me deputetët e opozitës, vjen me dy vjet vonesë.
Por kriza nuk ka të bëjë vetëm me një lidership të dobët. Brexit ka shfaqur dy probleme më të rënda. Njëri ka të bëjë me vështirësitë që do të ballafaqohet çdo shtet që përpiqet “të marrë kontrollin”, siç theksohej edhe gjatë fushatës “Leave” (Largimi), në një botë të globalizuar dhe të ndërlidhur. Nëse Britania mori përsipër të drejtën për t’i vendosur vetë rregullat dhe standardet e saj, atëherë ajo nuk duhet të çuditet aspak nga vështirësitë me të cilat do t’i duhet të përballet në momentin kur vendos të bëjë biznes me shtete të cilat kanë standarde dhe rregulla të tjera, të ndryshme nga të sajat.
Sepse nëse dy shtete dëshirojnë të hyjnë në marrëdhënie tregtare me njëra-tjetrën atëherë, shteti më i dobët do të ndjekë rregullat e shtetit më të fortë, që në rastin e Britanisë është BE-ja apo Amerika. Kështu Brexit i jep Britanisë kontrollin nga njëra anë, por ia heq asaj nga ana tjetër. Të larguarit kanë të drejtë ta etiketojnë BE-në si një bashkim gjithnjë e më i padurueshëm, ku po shtohen populistët italianë, protestat e jelekëve të verdhë francezë, etj. Por ata nuk mund të gabojnë në gjykimin e tyre, në rast se vendimi i Britanisë për t’u larguar prej saj i duket i drejtë.
Problemi i dytë i rëndësishëm që Brexit ka shfaqur shqetëson demokracinë.
Britania ka një histori të gjatë të demokracisë përfaqësuese, në të cilën deputetët zgjidhen nga votuesit për të marrë vendime në emër të tyre.
Kriza e sotme shkaktohet nga mosmarrëveshjet e dy partive kryesore kundër njëra-tjetrës, e cila nuk ka aspak lidhje me referendumin e 2016. Referendumi i 2017-s vendosi për largimin nga BE-ja dhe mospranimi i vendimit do të ishte njësoj si mosrespektimi i vullnetit të popullit.
Megjithatë, përfaqësuesit e popullit në Parlament kanë thënë qartësisht se marrëveshja Brexit e znj. May nuk është në interes të tyre. Mosrespektimi i mendimit të deputetëve, siç është përpjekur gjithnjë të bëjë znj. May, është jo më pak se një shkelje ndaj demokracisë.
Kryeministrja ka ushtruar presion të lartë tek deputetët e Parlamentit, duke iu drejtuar atyre se janë të detyruar ta mbështesin Brexit, sepse ky ishte vullneti i atyre që e sollën atë në pushtet, edhe në rast se ata kanë pakënaqësi ndaj mënyrës sesi po e drejton Britaninë.
Situata nuk është kaq e thjeshtë. Marrëveshja e znj. May nuk është aq e keqe saç e përshkruajnë disa nga kritikët e saj, por është larg nga ajo që u premtua në vitin 2016. Largimi nga tregu i vetëm, rënia e industrive që variojnë nga ajo e financave tek ajo e automobilave, destabilizimi i Irlandës së Veriut dhe një faturë daljeje prej rreth 50 miliardë dollarësh, asnjë prej tyre nuk u përmendën në fushatën zgjedhore të 2016-s. Votuesit mund të jenë plotësisht dakord me këtë gjë.
Por vendimi dhe votimi për t’u larguar nga Brexit nuk duhet të përfshijë me patjetër edhe mbështetjen për versionin e veçantë të ndjekur nga znj. May. Prandaj, të gjitha palët mund të pretendojnë se po përfaqësojnë vullnetin “real” të popullit britanik.
Detyrimi i deputetëve për të pranuar një marrëveshje të cilën ata e gjykojnë si të dëmshme, vetëm për hir të referendumit të vitit 2016, i cili ndër të tjera nxori disa udhëzime shumë të paqarta, nuk do të ishte demokraci përfaqësuese dhe as demokraci e drejtpërdrejtë, madje as nuk ka të bëjë fare me demokracinë.
Hapi i parë për të dalë nga kjo situatë kaotike është shtyrja e afatit. Por duke qenë se marrëveshja e znj. May ka marrë fund dhe se një e re nuk mund të zgjidhjet brenda dhjetë javëve të mbetura, prioriteti duhet të jetë shtyrja e afatit, sepse dalja e Britanisë më 29 mars pa asnjë marrëveshje do të ishte e keqe për të gjithë Europën por mbi të gjitha, shkatërruese për vetë vendin. Nëse znj. May nuk do të kërkojë shtyrje të afatit, atëherë Parlamenti duhet të votojë për ta bërë vetë kërkesën. Pra nëse Kryeministrja nuk i jep rrugëzgjidhje situatës dhe vendi rrezikon që të dalë nga BE-ja pa një marrëveshje, atëherë është detyrë e deputetëve që të marrin në dorë situatën.
Me më shumë kohë në dispozicion, ndoshta mund të arrihet një marrëveshje dhe Parlamenti britanik dhe BE-ja mund të bien dakord. Një bashkim doganor i përhershëm ose një model norvegjez mund të ishin disa mundësi. Të dyja do të kërkonin arritjen e kompromiseve, si në rastin e Britanisë do të ishte të hiqte dorë nga e drejta për të nënshkruar marrëveshjet e veta tregtare apo vazhdimin e lëvizjes së lirë, që bie ndesh me disa prej rregullave të fushatës së “Leave” (Largimit). Kjo është arsyeja se përse çdo marrëveshje, duhet të përfshijë edhe votuesit. Prezantimi i Brexit në vitin 2016, i cili u bë në mënyrë krejt të pavetëdijshme, do të thotë se asgjë nuk mund të jetë e njëjtë me premtimet e atij viti. Prandaj duhen përfshirë votuesit sepse mund të ndodhë që ata të bien dakord me vendosjen e disa prej këtyre pengesave, ose edhe e kundërta.
Por vullneti i popullit është më i rëndësishëm sesa grindjet e deputetëve të Parlamentit që thonë se mendojnë për më të mirën e tyre.
Paaftësia e Parlamentit për të përcaktuar dhe për të rënë dakord mbi atë që dëshiron vërtet pjesa tjetër e vendit e bën më të qartë se kurrë, se mënyra e vetme e duhur për t’u shkëputur nga kjo situatë kaotike është që qeveria të kthehet nga njerëzit dhe t’i pyesë ata se çfarë dëshirojnë në të vërtetë.