Prej 30 vjetësh zien konflikti mes Armenisë dhe Azerbajxhanit për rajonin e Nagorni Karabakut. Tani sërish kanë filluar luftimet, më të ashprat që nga viti 2016. Ndërkombëtarët kërkojnë armëpushim të menjëhershëm.
Ne kryeqytetin armen janë mbledhur në qendër turma njerëzish të gatshëm për të shkuar në frontin e luftës. Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashijan ka bërë të ditur në twitter, se „pala armene” ka shkatërruar dy helikopterë azerbajxhanas dhe tre drone armene. Ai ka shpallur edhe gjendjen e luftës. Nuk ka të dhëna të sigurta, nëse goditja është kryer nga ushtria armene apo rebelët në Republikën e vetëshpallur të Nagorni Karabakut. Sipas rebelëve sulmet kanë filluar nga Azerbajxhani.
Ushtria azerbajxhanase ka bombarduar rajonin e banuar me shumicë armene të dielën në mëngjes, thonë rebelët. Aty janë goditur edhe objektiva të kryeqytetit rajonal, Stepanakert të Nagorni Karabakut. „Kjo nuk ka ndodhur që në vitet 90-të”, i ka thënë Deutsche Welles gazetarja e ARD-së dhe njohësja e rajonit, Silvia Stöber. Sipas Stöber, Turqia e mbështet më shumë Azerbajxhanin e „kjo mund të ketë motivuar udhëheqjen në Azerbajxhan të shkallëzojë situatën.
Reagime ndërkombëtare: Armëpushim i menjëhershëm
Luftimet kanë shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare. Rusia u ka bërë thirrje palëve për armëpushim të menjëhershëm në rajon. Kurse Franca ka apeluar, ashtu si BE, që si Armenia edhe Azerbajxhani të kthehen menjëherë në tryezën e bisedimeve.
Nën drejtimin e Francës, Rusisë dhe SHBA, grupi i ashtuquajtur, grupi i Minskut i OSBE përpiqet të negociojë që nga viti 1994, por bisedimet megjithatë nuk kanë sjellë rezultat. Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas pas shpërthimit të konfliktit luftarak ka kërkuar uljen e menjëhershem të armëve. Maas është i alarmuar për përplasjen masive mes dy vendevde dhe raportimet për viktima civile. Turqia i ka bërë thirrje Armenisë të heqë dorë nga „qëndrimi armiqësor”. Ankaraja është aleat i rëndësishëm i Azerbajxhanit.