Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha Basha nga selia blu prezantoi sot planin me pesë pika të PD, i cili sipas tij do të ndihmojë në përballimin e krizës aktuale dhe rimëkëmbjen e ekonomisë.
“Sot prezantojmë planin për rimëkëmbjen me 5 hapa kundër krizës që është përgjigjja që ne do t’i jepnim situatës po të ishim në krye të vendit dhe oferta që i bëjmë qeverisë edhe këto 6 muaj në pushtet që të lërë propagandën dhe të bëjë detyrën”, tha Basha
Plani i rimëkëmbjes kundër krizës përbëhet nga këto 5 shtylla kryesore:
Pika e parë e planit
1. Mbështetje dhe përgatitje e sistemit shëndetësor: Përgatitja për një shpërthim tjetër të infeksionit të COVID-19, duke:
a)Rritur numrin e testimeve për COVID në 2500 testime në ditë.
b)Rimbursim i plotë për marrjen e mjekimit ambulator kundër COVID.
c)Sigurimin e pajisjeve mbrojtëse për të gjithë personelin shëndetësor dhe rritjen e kapaciteteve spitalore.
d)Bonus 1000 Euro për çdo mjek dhe 500 euro për çdo infermier për 6 muajt e ardhshëm.
Pika e dytë e planit
2. Fëmijët tanë të arsimohen të sigurtë: Të garantojmë që fëmijët dhe mësuesit në shkollë të jenë të sigurtë, duke:
a)Përmirësuar kushtet sanitare në shkolla duke përfshirë furnizimin me ujë, pajisjen me maska mbrojtëse dhe dezinfektimin e rregullt të ambienteve mësimore.
b)Kryer testimin periodik për mësuesit dhe stafin ndihmës.
c)Investuar në teknologji për rastet kur mund të aplikohet mësimi në distancë, përfshirë ndihmën për familjet me të ardhura të ulta për të blerë tableta për fëmijët e tyre, në mënyrë që edhe ata të përfitojnë nga mësimi në distancë.
Pika e tretë e planit
3. Asnjë shqiptar të mos lihet pas dore:
a)Të mbështesim ata që kanë humbur vendin e punës. Çdo individ që ka humbur vendin e punës nga pandemia gjatë këtij viti, të përfitojë një çek mujor prej 16 mijë lekë të reja në muaj, përvec pagesës ligjore për papunësinë, për një periudhë prej 6 muajsh.
b)Krijimi i një Fondi të Punësimit për të mbështetur bizneset për të rimarrë në punë të larguarit gjatë pandemisë, duke i alokuar cdo punëdhënësi që rimerr në punë një individ që ka humbur vendin e punës prej pandemisë, një shumë mujore prej 20 mijë lekë të reja në muaj për një periudhe prej 6 muaj.
c)Dyfishimi i ndihmës ekonomike për çdo familje që trajtohet me ndihmë ekonomike.
d)Çdo pensionist të përfitojë një çek mujor prej 2 mijë lekë të reja në muaj për përballimin e kostove shtesë të pandemisë, për 6 muaj.
Pika e katërt e planit
4. Ndihmë për biznesin e vogël: Mbështetje e drejtpërdrejtë për të gjitha bizneset e vogla të prekura nga pandemia. Çek prej 1000 euro për çdo biznes të vogël aktiv.
Pika e pestë e planit
5. Mbështetje për biznesin prodhues dhe punëdhënësit e mëdhenj
a)Për 6 muajt e ardhshëm, subvencionim i 50% të qirasë për ambjentet e punës ose heqje e taksës së pronës për bizneset pronare të ambjenteve të punës.
b)Shtrirja në kohë dhe rikonceptimi i kritereve të përfitimit nga të dy skemat e garancisë sovrane, për ta bërë më të aksesueshme dhe të përballueshme kredimarrjen nga biznesi. Përcaktimi i një tavani prej 2% të normës së interesit për biznesin, duke subvencionuar çdo përqindje mbi këtë vlerë në kredimarrjen për investime dhe shpenzime operative.
Kryedemokrati Lulzim Basha thotë se pikat e mësipërme janë zgjidhje për të tejkaluar situatën e vështirë socio-ekonomike. Ai kritikoi qeverinë e kryeministrit Rama, ndërsa tha se në shtatë vite Shqipëria është drejtuar në rrugën e gabuar. Shefi i selisë blu ripërsëriti qëndrimin e PD-së për mbështetjen financiare për mjekët dhe infermierët.
“Zotim ynë për pagën e mjekëve deri në 1200 euro dhe infermierëve deri 700 euro është pjesë e programit tonë dhe ka të bëjë më realitetin pas 25 prillit. Propozimet e qeverisë së fundmi tregojnë se për shtatë vite e kanë drejtuar Shqipërinë në rrugën e gabuar. Ne i qëndrojmë plotësisht vizonit për mjekësinë, pjesë e së cilës është edhe rritja e rrogave për mjekët dhe infermierët”, tha Basha.