Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, tha sot në Hagë se nuk e njeh Gjykatën e Posaçme e cila trajton pretendimet për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.
Ai i bëri këto komente në paraqitjen e parë para Gjykatës, pasi që me 25 shtator u arrestua në Prishtinë në bazë të në urdhër arresti të Prokurorisë së Posaçme në Hagë për veprat penale “kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”.
Prokuroria tha se ekziston dyshimi i bazuar se zoti Haradinaj është përgjegjës për orvatje të kryerjes së veprës penale kundër administrimit të drejtësisë duke mbajtur 3 konferenca për shtyp gjatë shtatorit 2020 ku ai “shpërndau ose vuri në dispozicion të medies informacion dhe dokumente të besueshme ose jo publike që kanë lidhje me punën e zyrës së prokurorit të specializuar. Kjo sjellje përbën kërcënim të rëndë ose mënyrë shtrëngimi që e nxit një person të mos jep deklaratë ose të jap të rreme për zyrën e prokurorit të specializuar”, thanë zyrtarë të prokurorisë.
Gjykatësi Nichalos Guillout, njoftoi zotin Haradinaj me detyrat dhe detyrimet e tij dhe nënvizoi se ende nuk ka akuza ndaj tij. Prokuroria e Posaçme u zotua se aktakuza do të dorëzohet shumë shpejt.
Avokati mbrojtës i zotit Haradinaj kërkoi hedhjen poshtë të akuzave dhe lirimin e menjëhershëm meqë siç tha, klienti i tij nuk është i akuzuar për krime lufte dhe rrjedhimisht gjykata nuk ka juridiksion ta mbajë në paraburgim.
Vetë zoti Haradinaj tha se nuk e njeh Gjykatën e Posaçme dhe se arrestimi i tij është i padrejtë. “Unë në këtë moment po them nuk e kam njoftë këtë gjykatë, nuk e njoh dhe nuk kam për ta njohur këtë gjykatë”, tha ai duke nënvizuar se mandati i saj 5 vjeçar ka skaduar me 2 gusht. Ai tha se ekzistojnë 150 mijë nënshkrime me të cilat është kërkuar shfuqizimi i Gjykatës, ndërsa kritikoi ashpër deputetët e parlamentit që siç tha “për poste e rroga të veta e kanë sjellur popullin këtu që ju sot të arrestoni e ta theni Kushtetutën tonë e të ja vjedhni qytetarin në mes të vendit të tij edhe pas skadimit të afatit. Prandaj e ndjej veten që jam padrejtësisht këtu, keni thyer Kushtetutën e vendit tim, çdo ligj njerëzor dhe të drejtën e mendimit të lirë”, tha ai.
Me 25 shtator prokuroria e posaçme arrestoi për të njëjtat arsye kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, i cili do të paraqitet të enjten para Gjykatës në Hagë.
Organizata e Veteranëve të Luftës në tri raste gjatë këtij muaji tha se ka marrë nga persona të panjohur mijëra dosje të Gjykatës së Posaçme, që dëshmojnë për bashkëpunim të saj me autoritetet e Beogradit dhe për siç thuhet, karakterin e saj të njëanshëm.
Arrestimi i tyre u bë një ditë pasi që prokuroria e posaçme arrestoi ish pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i cili u paraqit të hënën në Gjykatën e Posaçme në Hagë.
Akuza e ngarkon zotin Mustafa “me përgjegjësi penale individuale për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme”.
Sipas akuzës, “afërsisht midis 1 prillit të vitit 1999 dhe 19 prillit të vitit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, (një zonë në lindje të Prishtinës) janë kryer krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.
Zoti Mustafa ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-1999 ndërsa pas luftës kishte shërbyer në Trupat Mbrojtëse të Kosovës e më pas edhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Gjykata e njohur me emrin Dhomat e Specializuara u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar.
Ideja për themelimin e saj pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.
Mbi 200 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019 ndërsa më 24 qershor prokuroria publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Hetimet që i paraprinë gjykatës dhe ngritja e saj, janë shoqëruar me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s./VOA/