Qeveria e Shqipërisë dhe e Kosovës nënshkruan ditën e sotme 14 marrëveshje mes dy vendeve në një mbledhje ndërqeveritare. Ajo u zhvillua në Tiranë në Pallatin e Kongreseve dhe zgjati për disa orë.
Ndër marrëveshjet që u firmosën ishin ajo e shndërrimit të portit të Durrësit në një pikë doganore të përbashkët. Rama tha pas mbledhjes se kjo do të konkretizohet vetëm javët e ardhshme në Kosovë. Kryeministri shqiptar tha se synimi madhor i të dy vendeve është hapja e plotë e kufirit e cila sipas tij mund të arrihej vetëm përmes bashkimit në minishengenin rajonal. Ndërkohë kryeministri Avdullah Hoti konfirmoi pjesëmarrjen e tij në mbledhjen e ardhshme.
Marrëveshjet Shqipëri-Kosovë që u firmosën sot
– Marrëveshje për Zbatimin e Lehtësirave të Ndërsjella në Procedurat Doganore të Kontrollit të Hyrje-Daljeve së Mallrave.
– Bashkëpunim në fushën e transportit hekurudhor
– Krijimi i fondit të përbashkët në mbështetje të Luginës së Preshevës
– Bashkëpunim dhe ndihmë të ndërsjelltë në raste fatkeqësish Natyrore dhe fatkeqësive të tjera
– Bashkëpunim të ndërsjellë në fushën e sigurisë
– Marrëveshje për shmangien e Tatimit të dyfishtë mbi të Ardhurat dhe mbi Kapitalin si dhe për Parandalimin e Evazionit Fiskal
– Marrëveshje bashkëpunimi mes MF dhe Ministrise së Ekonomisë dhe Punësimit
– Krijimi i Korridorit Digjital 5G
– Themelimi i Ligës së Përbashkët të Basketbollit
– Platformë e përbashkët digjitale të Arsimit parauniversitar
– Kalendar i Përbashkët Kulturor vjetor
– Marrëveshje për bashkëprodhim të Filmit
– Memorandum bashkëpunimi mes Ministrive të Kulturës
– Marrëveshje për përballimin e Covid 19