Presidenti Donald Trump u dërgua në spitalin ushtarak “Walter Reed” si një “masë parandaluese”. Ai pritet të qëndrojë atje për disa ditë, pasi rezultoi pozitiv gjatë testimit për COVID-19. Diagnoza e tij ka ngritur shqetësime të mëtejshme në vend lidhur me zgjedhjet që po afrojnë.
Të premten në mbrëmje Presidenti Donald Trump shkruante në Twitter nga spitali ushtarak (2 tetor) se “gjithçka sipas tij po shkon mirë ndërsa i falenderonte të gjithëve.
Presidenti Trump është shtruar në Qendrën Kombëtare Mjekësore Ushtarake “Walter Reed” në Bethesda, të shtetit Maryland. Ai do të punojë nga një pavion special i spitalit gjatë ditëve në vazhdim.
Amerikanët e morën fillimisht lajmin tronditës nëpërmjet një njoftimi në Twitter nga Presidenti Trump të shkruar të premten rreth orës 1 pas mesnatës, ku thuhej se ai dhe Zonja e Parë kishin rezultuar pozitivë nga testimi për COVID-19.
Këshilltarja e tij, Hope Hicks, gjithashtu ka rezultuar pozitive. Ajo udhëtonte me presidentin, i cili kishte zhvilluar veprimtari të shumta elektorale gjatë ditëve të fundit për të dhënë mesazhin se, megjithë pandeminë, vendi është në rrugën e rikthimit drejt normalitetit.
“Ky është realisht mesazhi se gjërat nuk janë normale. Dhe ai nuk do të jetë në gjendje t’i bëjë këto (tubime) të paktën për dy javë apo më shumë me karantinën”, thotë Todd Belt, i Universitetit “George Washington”.
Në një deklaratë, mjeku i Shtëpisë së Bardhë tha se ai priste që Presidenti Trump “të vazhdonte kryerjen e detyrave të tij pa ndërprerje gjatë rikuperimit”.
Në moshën 74 vjeçare, Presidenti Trump konsiderohet me rrezik të lartë nga ekspertët mjekësorë.
“Ai sapo është ekspozuar; ai duhet të shikojë se çfarë po ndodh gjatë ditëve të ardhshme dhe të sigurohet që gjërat nuk po përparojnë“, thotë Dr. David A. Nace, nga Shkolla e Mjekësisë në Universitetin e Pittsburgh-ut.
Sëmundja e Presidentit Trump ka ngritur shqetësime mbi vazhdimësinë e qeverisjes.
“Nëse presidenti do të ishte vërtet aq i sëmurë sa do të duhej të largohej nga detyra, ka një dispozitë në Amendamentin e 25-të, e cila i lejon të transferojë pushtetin tek nënpresidenti dhe pastaj të rikthehet kur të shërohet“, thotë John Fortier, drejtor i studimeve qeveritare në Qendrën Politike Bipartizane.
Diagnoza me COVID-19 e Presidentit Trump ka hedhur zgjedhjet tashmë të trazuara dhe vetëm një muaj larg, në një çrregullim të mëtejshëm, duke çuar në pikëpyetje të tilla si, çfarë mund të ndodhë me me dyshen e kandidatëve Trump-Pence nëse gjendja e presidentit do të merrte për keq.
“Duke supozuar se Presidenti Trump nuk është më në gjendje të shërbejë, ne ndoshta do të shihnim Nënpresidentin Pence duke u zhvendosur në krye të dyshes së kandidatëve, por atëherë pyetja është, kush do të ishte kandidati i emëruar për nënpresident? Kjo është një pyetje me vend”, thotë zoti Belt.
Të martën, Presidenti Trump debatoi me kandidatin demokrat për president Joe Biden, duke vazhduar të minimizojë rëndësinë e maskave.
“Unë nuk mbaj maska si ai. Sa herë që e shoh, ai ka një maskë. Ai mund të flasë nga 200 metra larg meje, dhe ai shfaqet me maskën më të madhe që kam parë ndonjëherë“, tha Presidenti Trump gjatë debatit.
Biden dhe Trump ishin larg njëri-tjetrit në skenë dhe nuk kishin asnjë kontakt fizik.
Në një mesazh në Twitter, zoti Biden ofroi lutjet e tij, duke i uruar Presidentit Trump dhe Zonjës së Parë Melania Trump një shërim të shpejtë.
Zoti Biden rezultoi negativ në testimin për koronavirusin dhe nuk ka në plan të zvogëlojë fushatën, e cila kryesisht përbëhet nga aktivitete të vogla, në mjedise të jashtme./voa