Me ftesë të Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, nesër fillon vizitën e Tij zyrtare 2 ditore në Shqipëri, Kryetari i Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Sh.T.Z. Shefik Xhaferoviç.
Kryetari Xhaferoviç do të pritet dhe zhvillojë bisedime me Presidentin Meta me fokus forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, nxitjen e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar dhe bashkëpunimin rajonal.
Ceremonia e mirëseardhjes së Tij në Presidencë do të zhvillohet nesër në ora 09:00, ndërsa në ora 10:15 do të ketë edhe një konferencë të përbashkët shtypi.
Gjatë qëndrimit të Tij në vendin tonë, Kryetari Xhaferoviç, së bashku me Presidentin Meta, do të vizitojë edhe fshatin Borakë në Bashkinë e Shijakut, ku jeton një pjesë e komunitetit boshnjak në Shqipëri.