Katër vjet më parë, disa xhihadistë mësynë me forcë në zyrat e revistës Charlie Hebdo në Paris, dhe qëlluan për vdekje 10 anëtarë të stafit, një oficer policie dhe një roje sigurie. Menjëherë pas masakrës, mijëra njerëz u derdhën rrugëve për të përkujtuar gazetarët e vrarë.
Globalisht, në mediat sociale, shumica i bënë jehonë sloganit ‘Je Suis Charlie’, në shenjë solidariteti. Por kur ai moment kaloi, u bë e qartë se kërcënimi ndaj lirisë së fjalës buron jo vetëm apo kryesisht nga “vetoja” e xhihadistëve. Problemi më i thellë jemi vetë ne. Ekziston një antipati e përhapur, ndaj parimit të lirisë së shprehjes.
Nëse nuk e kuptojmë dhe e vlerësojmë, do ta humbasim këtë të drejtë vendimtare. Që nga pasojat e masakrës së Charlie Hebdo , është bërë e qartë se fjala e lirë gjendet nën kërcënim nga inteligjencia kryesore, si dhe islamikët e dhunshëm. Së pari, ka pasur reagim kundër vetë Charlie Hebdo.
Ndërsa shumë njerëz shprehen solidaritet, të tjerët u morën me satirizimin e shpeshtë që revista i bënte Islamit me paraqitjen e karikaturave të Profetit Muhamed. Fjala e lirë, është e drejta për të shprehur idetë vetjake, pa frikën e ndëshkimit, edhe nëse të tjerët nuk bien dakord me ju – edhe nëse ndihen të fyer.
Kjo e drejtë i lë njerëzit të lirë të kundërshtojnë, dhe të lirë të bindin të tjerët për idetë e tyre. Asnjë pikëpamje politike, fetare apo ideologjike, nuk duhet të lejohet si një përjashtim i veçantë nga sfida, kritika apo tallja. Por sapo u zbeh vrulli i fushatës ‘Je Suis Charlie’, zërat e shquar nisën të fajësojnë vetë revistën për sulmin.
Kur “PEN America”, një organizatë e shkrimtarëve në SHBA, vendosi t’i jepte Charlie Hebdo, çmimin e Lirisë së Shprehjes dhe Kurajos, më shumë se 200 shkrimtarë të mirënjohur protestuan. Dekani i një shkolle të gazetarisë, duke shkruar në”USA Today”, nënkuptonte se satirat e revistës ndaj profetit Muhamed, duhet të lihen jashtë mbrojtjes nga Amendamenti i Parë.
Dhe Geri Trudo, krijuesi i ilustrimeve komike Doonesbury, sugjeroi se Charlie Hebdo kishte nxitur dhunën vrastare kundër vetes.
Refuzimi i fjalës së lireë, ka qenë gjithashtu i dukshëm në një vend tjetër në shoqëri. Debatet mbi fjalën e lirë në kampuset universitare, janë shpeshtuar që nga masakra e Charlie Hebdo. Në Berkli, studentët protestuan në vitin 2017 për të parandaluar një aktrivitet, duke shkaktuar 100 mijë dollarë dëme. Në Middlebury College, studentët ndërprenë në mes një aktivitet promovues mbi shkrimtarin kontrovers, Çarls Marrej, duke plagosur një anëtar të fakultetit.
Një çështje e rëndësishme në këto polemika, është pikëpamja e një numri alarmues studentësh se fjalët janë dhunë. Shumë studentë sot, mendojnë se dëgjimi i ideve që sfidojnë idetë e tyre, është i barabartë me një sulm fizik. Ata me dashje e turbullojnë vijën ndarëse midis fjalës dhe veprimit.
Kjo është vërtet diçka ogurzezë, pasi legjitimon përdorimin e forcës, për të heshtur zërat me të cilët nuk pajtohemi. Sondazhet tregojnë se ndërsa pak studentë, do të ishin vetë të gatshëm të përdornin dhunën për t’i mbyllur gojën një folësi, 19- 30 për qind e tyre, besojnë se është e justifikueshme që studentët e tjerë ta bëjnë diçka të tillë.
Sulmi ndaj fjalës së lirë po vjen edhe nga e djathta. Presidenti Donald Trump, jo vetëm është përplasur me mediat. Ai ka shprehur një antipati më të gjerë ndaj Amendamentit të Parë. Ai ka sugjeruar që ligjet federale mbi shpifjen duhet ‘të zgjerohen”, me sa duket në mënyrë që ai të ketë mundësi të përndjekë kritikët e tij.
Ai gjithashtu ka kërcënuar të anulojë licencat e transmetimit, si një formë ndëshkimi për mbulimet mediatike të pafavorshme ndaj tij. Kur shohim më gjerë, atëherë është e qartë se kërcënimi ndaj fjalës së lirë, është shumë më i gjerë sesa thjesht kërcënimi xhihadist.
Para se të mbështesim fjalën e lirë, ne duhet ta kuptojmë atë. Ne duhet ta vlerësojmë vlerën e saj në avancimin e jetës, njohurive dhe përparimit të njeriut. Katër vitet nga masakra në Charlie Hebdo, na kanë treguar se kemi ende shumë rrugë për të bërë.
Shënim: Elan Journo, është një anëtar në Institutin Ajn Rand, dhe autori i librit “Çfarë kërkon drejtësia:Amerika dhe konflikti izraelito-palestinez”.
“Spiked” – Bota.al