Ministrja e jashtme e Suedisë, Ann Linde ka vizituar Tiranën. Si pasuese e Ramës në kryesimin e OSBE, Ann Linde theksoi se kontakton vazhdimisht me kryeministrin shqiptar dhe edhe sot kanë diskutuar për problemet në Europë si Bjellorusia apo jo vetëm, edhe konfliktin Azerbajxhan-Armeni.
Linde theksoi gjithashtu se rrugëtimi i Ramës në krye të OSBE ishte i vështirë prej pandemisë, por konstruktiv. Më tej ajo shprehu konsiderata dhe vlerësim për punën e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian dhe anëtarësimit në BE.
‘’Jam shumë mirënjohëse për mikpritjen e ngrohtë. Vlerësoj takimet me ju. Kam qenë pothuajse 1 vit më parë në Shqipëri, dhe kemi pasur një raport të mirë me njëri-tjetrin.
Ndersa gjate konferences u ndalen ne perspektiven europiane te Shqiperise.
Në fjalën e tij kryeministri Edi Rama theksoi se me znj. Ann Linde është diskutuar për një hap të ri në bashkëpunimin në fushën e luftës kundër krimit të organizuar.
“Kemi diskutuar për një hap të ri bashkëpunimi në fushë e sigurisë dhe luftës kundër krimit të organizuar, gjë që ne po e bëjmë me sukses me disa vende, ku kemi kaluar në një fazë tjetër me një ndërveprim në terren të oficerëve shqiptarë ne shtetet përkatëse për të koordinuar më mirë luftën kundër krimit të organizuar.
Në këtë aspekt kemi mundësi të japim një ndihmesë dhe të përfitojmë nga ky bashkëpunim për atë segment të krimit të organizuar që ka lidhje me Shqipërinë”, tha kreu i qeverisë.
Kryeministri Rama vlerësoi edhe bashkëpunimin me Suedinë në fushën e turizmit me qëllim promovimin e Shqipërisë turistike në vendet nordike.
“Jemi shumë të lumtur që së shpejti do të kemi në Shqipëri çeljen zyrtare të një investimi shumë të veçantë suedez në turizëm dhe shpresojmë që kjo do të vlejë për të promovuar Shqipërinë turistike në Suedi dhe për të tërhequr investim nga vendet nordike”, tha z. Rama.
Ministrja e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde nga ana e saj, foli rreth çështjes së azilkërkuesve ku dhe tha se kur bëhet fjalë për azilkërkuesit, në Suedi ka një proces për këtë.
“Ne japim mundësi të njëjtë për të gjithë ata që të kërkojnë azil”, – tha ajo.
Ndërkaq, Ann Linde theksoi se Suedia është një mbrojtje vokale e shoqërisë së medias. E pyetur nëse ligji i medias është në përputhje me standartet ndërkombëtare, ministrja u përgjigj se Suedia është mbrojtëse e hapur e lirisë së medias dhe qeveria duhet të bashkëpunojë dhe të qëndrojë në bashkëpunim me median.
Ministrja e Jashtme e Suedisë nuk preferoi të jepte një koment rreth zhvillimeve të fundit politike në vendin tonë kur u pyet rreth qëndrimit të saj sa i takon ndryshimeve zgjedhore të miratuara në kuvend 2 ditë më parë teksa tha se nuk është e familjarizuar me këtë problematikë.
Ndër të tjera znj. Ann Linde tha se Suedia do të jetë një mbështetëse e fuqishme për Shqipërinë.
Ajo theksoi se Suedia mbështet paketën e zgjerimit për Ballkanin Perëndimor.
Sa i përket problematikave të reformës në drejtësi, znj. Linde nënvijëzoi një nga gjërat pozitive që raporti tregonte për Shqipërinë. Konkretisht ajo ju referua vetingut të gjyqtarve, që siç tregohej dhe në progres-raport kishte shkuar shumë mirë.
Rama tha gjatë konferencës se draftin e ri të paketës ligjore që ndryshon ligjin e medias online, njohur ndryshe nga qeveria shqiptare si “paketa anti-shpifje”, nuk do ta dërgonte më në Komisionin e Venecias. Me ironi ai u shpreh se “ishte krenar” që po kalonte një ligj të tillë edhe pse kishte kryesuar këtë vit presidencën e OSBE-së.
Ministres së Jashtme suedeze Ann Linde iu kërkua koment dhe se çfarë qëndrimi kishte vendi i saj rreth kësaj çështjeje. Gazetari i Rrjetit Ballkanik të Gazetarëve Hulumtues (BIRN) Besar Likmeta i kujtoi ministres se Këshilli Evropian i ka vendosur Shqipërisë çështjen e ligjit të medias si parakusht për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare për integrimin. Likmeta tha se “Këshilli ka kërkuar që qeveria të dëgjojë thirrjen e Komisionit të Venecias, që ligji nuk është në përputhje me standardin evropian”.
“Suedia është mbrojtëse e hapur e lirisë së medias dhe është e rëndësishme që qeveria të diskutojë me gazetarët dhe shoqërinë civile në këtë proces,” – tha ministrja suedeze teksa më pas u ndërpre nga ndërhyrja e kryeministrit Rama, i cili e konsideroi me qasje të rreme kërkesën për koment të gazetarit Likmeta.
“Ajo që u tha është e rreme, draft-ligji u diskutua më shumë se një vit, me OSBE-në, e nisëm me modelin gjerman, na u tha se nuk ishte demokratik, vazhduam me modele franceze dhe kroate dhe na u tha se edhe ato nuk ishin demokratike, më pas bëmë një [draft] shumë demokratik të bazuar në konsulencën e OSBE-së që në këndvështrimit tim nuk trajton atë plagën dhe murtajën e debatit shqiptar në lidhje me lajmet e rreme, shpifjen, sulmet personale dhe diskriminimin e njerëzve, por sërish ofron së paku mundësinë që njerëzit të mbrojnë veten kur gjenden të sulmuar, dhe kur po flisnim për këtë ligj mbështetja më e madhe vinte nga biznesi sepse ata shantazhohen çdo ditë, megjithatë ne e dërguam ligjin në Komisionin e Venecias, ai nuk tha se ligji është në kundërshti me parimet demokratike ai dha disa rekomandime që ne do t’i respektojmë një-për-një, sepse në këtë xhungël disinformimi dhe sulmi ndaj personaliteteve apo keqedukimit të të rinjve, së paku individët duhet të kenë të drejtën të kërkojnë llogari përpara gjykatës çdokujt që po i sulmon duke u fshehur pas anonimitetit, kjo nuk mund të vazhdojë
e“Ju sugjeroj të shihni filmin “Dilema Sociale” [Social Dilemma], shiheni dhe le ta diskutojmë,” – u shpreh në fund Rama.
“Dilema Sociale” është një dokumentar i Jeff Orlowskit, prodhuar dhe shfaqur së fundmi në rrjetin Netflix. Dokumentari hedh dritë mbi ndikimin e teknologjisë dhe rrjeteve sociale në jetën e përditshme.
Dokumentari mëton të ndërgjegjësojë dhe të ngre gishtin te kompanitë e mëdha të teknologjisë, si Google apo Facebook, të cilat sipas ekspertëve të marrë në pyetje, nxisin varësinë e njerëzve te teknologjia dhe nuk kujdesen të mbajnë larg materialet apo informacionet e pa-vërteta që promovohen në platformat e tyre.