Bashkimi Europian do të derdhë mbi 9 miliardë euro për investime në Ballkanin Perëndimor. Por cilat nga këto projekte prekin Shqipërinë dhe çfarë përfitimesh do të ketë vendi ynë?
Një nga projektet kryesore nga të cilat përfiton Shqipëria këtë sektor investimesh është “Rruga Hekurudhore 2”, e cila lidh kryeqytetet e Podgoricën dhe Tiranën, dhe vazhdon në portin e Durrësit në Shqipëri. Është planifikuar po ashtu të rehabilitohen 120 kilometra hekurudhë në Shqipëri drejt kufirit me Malin e Zi.
Po ashtu, do të ndërmerren hapa të rëndësishëm për të përfunduar “Autostradën Blu” përgjatë bregdetit, nga Kroacia në Greqi. Planifikohet edhe kompletimi i bypass-it përreth Tiranës dhe dy seksione të tjera në Shqipëri, si dhe një rindërtim i rëndësishëm i rrugës afër Budvës në Mal të Zi.
Projekte të tjera infrastrukturore mësohet se do të jenë:
- Përfundimi i ‘Autostradës së Paqes” Nish (Serbi) –Prishtinë (Kosovë). (Financimi i këtij projekti është përmendur edhe në marrëveshjen për normalizimin ekonomik ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të nënshkruar më 4 shtator në Uashington, me mbështetjen e SHBA-së).
- Modernizimi i pjesës juglindore të hekurudhës së Korridorit 10 (nga Hungaria, përmes Ballkanit Perëndimor në Bullgari, Greqi dhe më tutje). Është planifikuar përfundimi i bypass-it të Nishit, modernizimi i rrugës ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë dhe përmirësimi i lidhjes hekurudhore me Maqedoninë e Veriut.
- Përshpejtimin e punimeve në hekurudhën e Korridorit 8 ndërmjet Shkupit dhe kufirit me Bullgarinë, në mënyrë që të lidhë më mirë Shkupin dhe Sofjen.
- Punimet në linjat lundruese – largimi i minave nga lumi Sava dhe pastrimi i grykës së Danubit, në mënyrë që të përmirësohet rrjeti trans-evropian i transportit.
- Pritet që të përfundohen tri të katërtat e korridorit veri-jug. Kjo autostradë do të lidhë kryeqytetet e Evropës Qendrore, përmes Sarajevës në Bosnjë dhe Hercegovinë, me portin e Ploçes në bregdetin e Adriatikut. Planifikohet gjithashtu modernizimi i hekurudhës përgjatë të njëjtit korridor.
- Rinovimi i plotë i linjës hekurudhore Beograd – Podgoricë – Porti i Barit në Mal të Zi, nga kufiri me Serbinë, deri në det. Është planifikuar gjithashtu të modernizohet rruga në të njëjtin korridor dhe të ndërtohet një bypass rreth Podgoricës.
- Modernizimi i rrugëve midis dy kryeqyteteve – Sarajevë dhe Podgoricë dhe ndërtimi i rrugëve në Bosnjë dhe Hercegovinë për t’u lidhur më mirë me fqinjët.
- Fillimi i punimeve në linjën hekurudhore që lidh Beogradin me Prishtinën. (financimi i këtij projekti përmendet gjithashtu në marrëveshjen për normalizimin ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës, e cila u nënshkrua më 4 shtator në Uashington me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara)
Shqipëria përfiton po ashtu në kuadër të planit investues të BE-së për burimet e energjisë, pasi një pjesë e fondeve do të shkojnë për përfundimin e rehabilitimit të hidrocentralit të Fierzës në Shqipëri dhe përparimi në ndërtimin e hidrocentralit Skavica, për të rritur potencialin e energjisë elektrike të Shqipërisë dhe me synimin për të rritur eksportet e energjisë së “pastër” elektrike.
Po ashtu BE planifikon ndërtimi e sistemit hidroenergjetik i Pivës në Mal të Zi do të zgjerohet me fillimin e ndërtimit të hidrocentralit Komarnica.
Fondet e burimeve energjike
Si pjesë e tubacionit Trans-Adriatik, do të përfundojë ndërtimi i tubacionit të gazit Fier-Vlorë në Shqipëri, dhe tubacioni i gazit Jon-Adriatik përgjatë bregdetit do të jetë përparësi, për të mundësuar një diversifikim më të madh të burimeve të furnizimit me gaz për Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.
Përfundimi i tubacionit të gazit Bosnje dhe Hercegovinë – Kroaci, me qëllim diversifikimin e sistemit të shpërndarjes së gazit. Fillimi i ndërtimit të tubacionit të gazit Maqedoni e Veriut,Kosovë dhe Maqedoni e Veriut – Greqi.
Përfundimi i Korridorit Trans-Ballkanik të Transmisionit të Energjisë Elektrike në Serbi, si pjesë e ndërlidhjes midis Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës. Ky sistem i transmisionit të energjisë elektrike duhet të jetë “shtylla kurrizore për shpërndarjen” e energjisë elektrike në të gjithë rajonin dhe më tej në Bashkimin Europian.
‘Menaxhimi i mbeturinave dhe ujërave të zeza’
Planifikohet që deri në vitin 20204, Bashkimi Evropian do të mbështesë disa projekte të mëdha në fushën e furnizimit me ujë, menaxhimin e ujërave të ndotura dhe asgjësimin e mbeturinave:
Përfundimi i ndërtimit të impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura në Shkup dhe Prishtinë.
Zbatimi i programit të investimeve mjedisore në Serbi, i cili përfshin modernizimin e sistemit të trajtimit të ujërave të ndotura në qytete të mëdha dhe të mesme.
Vendosja e sistemeve të integruara rajonale të menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi, së bashku me mbylljen e atyre që nuk plotësojnë kërkesat mjedisore. Investime të ngjashme në rajon duhet të mbështeten gjithashtu në të ardhmen, duke përfshirë menaxhim më të mirë të mbetjeve në zonat ndërkufitare.