Qytete të mëdha me peshë elektorale në Shqipëri, si për ballafaqimin në nivelin vendor apo dhe të përgjithshëm, pritet të jenë epiqendra e betejës së ardhshme elektorale më 30 qershor.
Pikërisht bëhet fjalë për Durrësin dhe Elbasanin, qytete që janë drejtuar prej më shumë se disa mandatesh nga Partia Socialiste dhe ku tashmë, kryesocialisti Edi Rama ka vendosur që të ballafaqohet në elektorat me emra të rinj të pasprovuar politikisht.
Kryebashkiaku Qazim Sejdini ka vendosur që të mos rikandidojë më për Bashkinë e Elbasanit, pas tre mandatesh të fituara.
Mos kandidimi i tij lidhet dhe me faktin se Sejdini është më i sulmuari nga opozita. Prefekti i ri Gledjan Llatja, i prezantuar zyrtarisht më 15 janar është emri i përfolur se do të jetë kandidati socialist për Bashkinë e Elbasanit.
Po kështu në Durrës, Vangjush Dako pritet të mos kandidohet sërish në zgjedhjet e 30 qershorit. “Problemet” e Dakos me përgjimet e nxjerra së fundmi me dosjen 339, në bandën e Avdylajve flitet për shitblerje të votave, janë një nga arsyet pse ndoshta ai është vendosur të mos kandidojë më.
Dako pritet të udhëheqë fushatën elektorale në Durrës, pasi është drejtuesi politik i këtij qarku, si dhe anëtar i Kryesisë së PS-së.
Në vend të tij, po përfliten dy emra. I pari është drejtori i OSHEE-së, Ardian Çela, i cili më parë ka qenë nënkryetar i bashkisë së këtij qyteti. Por ditët e fundit po përflitet një tjetër emër si kandidat i mundshëm për bashkinë e qytetit bregdetar.
Arbër Braho, aktualisht nënkryetar i Bashkisë së Durrës. Ai është edhe djali i deputetit të PS-së, Spartak Braho. Gjithsesi PS-ja do të vendosë mbi kandidaturat përfundimtare.
Në qytetin e Beratit, Partia Socialiste pritet të kandidojë me një emër që nuk është figurë e pastër politike. Ish-zv/ministri i Arsimit Ervin Demo përflitet si kandidatura e mundshme e PS-së për Bashkinë e Beratit. Demo, i cili u shkarkua pasi i publikuan se doktoraturën e kishte plagjiaturë, është shfaqur së fundmi në takimet e kryeministrit Edi Rama në zonën e Beratit, shkruan gazeta Si.
Në Bashkinë e Sarandës, PS-ja do të dalë me një kandidat tjetër. Floriana Koka, ndonëse zgjedhur nga socialistët nuk do të jetë më pjesë e listës për garën për bashkinë e qytetit jugor. Socialistët pritet që të dalin me një kandidat që nuk është i ndonjë profili të lartë politik.
PD-ja, ndryshe nga PS-ja, nuk është në pozita komode për të zgjedhur kandidatët, pasi asaj i duhet të negociojë me aleatët e saj, LSI-në, por edhe me partitë e tjera.
Demokratët për Durrësin duhet të llogarisin edhe Agron Dukën, kreun e Partisë Agrare Ambientaliste, i cili mund të synojë të jetë një kandidatët e opozitës për bashkinë e Durrësit, edhe pse PD-ja mund të ketë si kandidat të sajin, deputetin Oerd Bylykbashi.
Ndërsa për Elbasanin, në radhët e demokratëve përflitet Aurel Bylykbashi, edhe pse nuk mohohet që LSI-ja mund të ketë preferencë për të caktuar ndonjë emër të sajin si kandidat të përbashkët të opozitës.
Për bashkitë Vlorë dhe Fier, PS-ja pritet të rikonfirmojë emrat e Dritan Lelit dhe të Armando Subashit, ndërsa Erion Veliaj deri më tani shihet si më i mundshmi për rikandiduar.
Kastriot Gurra i Librazhdit do të rikandidojë sërish nën siglën e PS-së.
Përveç kësaj PS-ja po mendon që të kandidojë edhe me emra puro politik për bashkitë e tjera, duke mos ndjekur modelet e bashkisë së Elbasanit apo të Durrësit.
Në Shkodër emri i ish-zv.kryeministres Senida Mesi shihet si kandidate e PS-së për bashkinë.
Një emër politik për bashkinë e Lezhës është edhe ai deputetit socialist, Pjerin Ndreu. Për qytetin e Kukësit, presidenti i klubit të futbollit të qytetit verilindor, Safet Gjici është kandidati socialist.
Për Kamzën, bashkia që drejtohet prej vitesh nga demokratët me kryebashkiak Xhelal Mziun socialistët pritet të konkurrojnë me deputetin e tyre, Rakip Suli.