JICA japoneze, zgjeron mbështetjen në ngritjen e kapaciteteve për përmirësimin e menaxhimit të ekosistemeve në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta
TIRANË, 8 tetor /ATSH/- Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) dhe Qeveria Shqiptare nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për ngritjen e kapaciteteve për përmirësimin e menaxhimit të ekosistemeve në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta.
Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua sot në mjediset e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe në të morën pjesë Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, Ambasadori i Japonisë në Tiranë Ito Makoto, dhe Përfaqësuesi Rezident i JICA për Ballkanin TAKEIÇI Jiro.
Objektivi kryesor i Projektit është rritja e mbrojtjes së natyrës dhe biodiversitetit në Zonat e Mbrojtura të Shqipërisë. Projekti synon gjithashtu të krijojë një qasje të menaxhimit të bazuar në eko-sistem dhe forcimin e funksionit të Parkut Kombëtar Divjaka Karavasta si dhe të rrisë kapacitetin e burimeve njerëzore të Agjencisë Rajonale të Zonës së Mbrojtur të Qarkut Fier (ARZM Fier).
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ministri Klosi u shpreh se, “një nga objektivat kryesore të Qeverisjes, në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2015-2020, është rritje ekonomike e qëndrueshme, që bazohet edhe në investime e aktivitete miqësore me mjedisin dhe kontribuon ne ruajtjen dhe zhvillimin e tij”.
“Arritja e këtij objektivi, vijoi Klosi, është në fokusin kryesor të punës së Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, pasi ka lidhje të drejtpërdrejtë me dy nga sektorët prioritare të zhvillimit: turizmin si aktivitet me potencial të jashtëzakonshëm ekonomik dhe mjedisin si sektorin shumë të rëndësishëm por delikat, për të cilin tregojmë interest të pakufishëm, për ta ruajtur nga sfidat e zhvillimit të pandalshëm urban dhe ekonomik”.
“Jam vërtet i lumtur që në këtë përballje të zhvillimit, kemi në krah, një partner kaq të rëndësishem sa Japonia, e cila jo vetëm ka dhënë një kontribut të paçmuar në zhvillimin e vendit tonë por zotëron gjithashtu një ekspertizë unike në zhvillimin e qëndrueshëm dhe bashkëjetesën e njerëzve me natyrën, si dhe në mirëmbajtjen e ekosistemeve me përfshirjen dhe kontributet e komunitetit dhe palëve të tjera të interesuara.”- tha Klosi, ndërsa shtoi se, “me asistencën e JICA-s, ne kemi hartuar një plan menaxhimi specifik për Parkun Kombëtar të Divjakë-Karavastasë, i cili në përmbajtje adreson gjithë mundësitë dhe sfidat e sotme për zhvillim ekonomik duke mbrojtur mjedisin”.
Ministri shprehu bindjen se qeveria japoneze do të vazhdojë të kontribuojë në ruajtjen e natyrës e biodiversitetit dhe zhvillimin e qëndrueshëm në Shqipëri.
Nga ana e tij, ambasadori i Japonisë në Tiranë, Ito tha se, “projekti i ri do të kontribuojë më tej në krijimin e një modeli për harmonizimin e ruajtjes me përdorimin e qëndrueshëm të zonave të mbrojtura. Projekti pritet të promovojë një qasje të menaxhimit të bazuar në ekosistem dhe forcimin e funksionit të këtij Parku Kombëtar. Ky projekt është më i ri në vargun e Projekteve të Zhvillimit që Japonia ka zbatuar në Shqipëri në sektorë të ndryshëm si infrastruktura, bujqësia, shëndetësia, zhvillimi dhe planifikimi hapësinor etj”.
“Përveç projekteve me JICA, Japonia ka financuar shumë projekte në shkallë të vogël në fushën e mjedisit përmes Ambasadës së Japonisë në Tiranë. Kamionë të rinj për mbledhjen e mbetjeve dhe kosha riciklimi të madhësive të ndryshme u janë siguruar Bashkive të Tiranës (për Parkun e Madh të Tiranës), të Kukësit dhe të Skraparit. Gjithashtu makineritë dhe pajisjet për mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbërta (të tilla si mini ekskavatorë dhe makina për prerjen e barit) u janë ofruar Bashkive të Korçës dhe Elbasanit. Këtë vit gjithashtu po shqyrtohen disa projekte të tjera të ngjashme”- tha Ito.
Ambasadori Ito shprehu bindjen se, asistenca teknike e Japonisë do të kontribuojë më tej në mbrojtjen e mjedisit në Shqipëri dhe ruajtjen e natyrës për të mirën e brezave të ardhshëm si dhe për zhvillimin e Shqipërisë.
Ndërsa përfaqësuesi rezident i JICA-s për Ballkanin Takeiçi Jiro, u shpreh se “zhvillimi dinamik dhe urbanizimi i shpejtë po çojnë në degradim dhe copëtim të habitateve natyrore. Mbrojtja e mjedisit dhe ruajtja e biodiversitetit, përfshirë jetën e egër, është thelbësore për Shqipërinë, sepse humbja e biodiversitetit, rezulton në çekuilibër të ekosistemit dhe ndikim negativ në jetesën”.
“JICA po punon vazhdimisht, në të gjithë botën, për të mbështetur ruajtjen e biodiversitetit, duke promovuar bashkëjetesën harmonike të natyrës dhe njerëzve.Përmes këtij projekti të bashkëpunimit teknik, ekspertët japonezë të JICA do të dërgohen në Shqipëri, për të ndihmuar AKZM dhe ARZM Fier të përshtasin një qasje të Menaxhimit të Bazuar në Ekosistem, e cila promovon bashkëveprimet midis përbërësve të ekosistemit si speciet, habitatet, shërbimet e ekosistemit dhe njerëzit. Projekti do të mbështesë modelin e integruar të punës në të gjithë sektorët, duke përfshirë ruajtjen dhe zhvillimin për peshkimin, bujqësinë dhe turizmin. Trajnim dhe mbështetj të tjera logjistike do t’i sigurohet administratës së zonave të mbrojtura përmes këtij Projekti 3-vjeçar”- tha Jiro.
Qëllimi i projektit është të krijojë një model për harmonizimin e ruajtjes me përdorimin e qëndrueshëm të zonave të mbrojtura në këtë Park, përmes zbatimit të aktiviteteve të zgjedhura, të planeve të veprimit të planit të menaxhimit me palët e interesit. Si i tillë, Projekti pritet të promovojë një qasje të menaxhimit të bazuar në eko-sistem dhe forcimin e funksionit të Komitetit të Menaxhimit të Parkut Kombëtar. Më tej, ky model pritet të shpërndahet me zonat e tjera të mbrojtura në Shqipëri për forcimin e kapacitetit menaxhues në të gjithë vendin. Projekti ka një vlerë prej 1.62 milionë euro dhe do të zgjasë për 3 vjet.
Përmes këtij projekti të bashkëpunimit teknik, ekspertët japonezë të JICA do të dërgohen në Shqipëri, për të ndihmuar AKZM dhe ARZM Fier të zbatojnë një qasje për menaxhimin e parkut, të bazuar në ekosistem, që njeh ndërveprimet midis përbërësve të ekosistemit. përfshirë speciet, habitatet, shërbimet e ekosistemit dhe njerëzit, si dhe promovimin e mënyrës së integruar të punës në sektorë, duke përfshirë ruajtjen, peshkimin, bujqësinë dhe turizmin, në mënyrë që të sigurohet pajtueshmëria e ruajtjes dhe përdorimi i qëndrueshëm i biodiversitetit dhe shërbimeve të ekosistemit në Parkun ombëtar të Divjakë Karavastasë.
Trajnimet në Japoni ose vende të tjera, në lidhje me zbatimin e një qasjeje të menaxhimit të bazuar në eko-sistem, janë planifikuar gjithashtu të ndërmerren përmes mbështetjes së JICA, për personelin e NAPA dhe RAPA Fier, me qëllim rritjen e kapacitetit të burimeve njerëzore. Një numër pajisjesh do t’i sigurohen organizatës homologe përmes këtij Bashkëpunimi Teknik.
JICA është Agjencia e Qeverisë së Japonisë, përgjegjëse për zbatimin e ndihmës dypalëshe përmes Bashkëpunimit Teknik, Kredive ( të buta) për zhvillim dhe Ndihmës Grant. Deri më tani në Republikën e Shqipërisë, JICA ka zhvilluar projekte të ndryshme në fushat e mjedisit, zhvillimit të sektorit privat, shëndetit dhe promovimit të turizmit.
Zyra e Ballkanit e JICA mbulon 6 shtete në Ballkan, Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi.