“Jemi krenarë që Bashkimi Europian konfirmon rolin e vet si donatori më i madh në Shqipëri, në partneritet me BERZH-n për të mbështetur qeverinë shqiptare në investimin e 40 milionë eurove për të nxitur rigjenerimin e zhvillimin ekonomik të vendit”, deklaroi sot ambasadori i Bashkimit Europian, në Tiranë, Luigi Soreca.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit me BERZH-n në mbështetje të anëtarësimit në BE të Shqipërisë dhe dy marrëveshjeve të financimit për zhvillimin e turizmit dhe infrastrukturës në katër pole strategjike për ekonominë kombëtare, Soreca siguroi se mbështetja e BE-së për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor do të vijojë.
Lidhur me këtë ai u ndal edhe në rëndësinë e planit ekonomik të prezantuar një ditë më parë nga Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Europian, Olivér Várhelyi në Tiranë.
“Dje ishte një ditë e veçante, pasi komisioneri ishte në Tiranë jo vetëm për të prezantuar raportin vjetor, por në këndvështrimin tim, një plan vizionar investimesh në ekonomi. Bie dakord me kryeministrin se është një zhvendosje në mënyrën se si Bashkimi Europian i drejtohet rajonit dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor. Kjo është një mundësi unike. Siç e tha edhe Komisioneri tashmë topi është jo vetëm në fushën e BE-së, por edhe asaj të Shqipërisë dhe çdo ndihmë teknike për të arritur projektin më të mirë që mund të ketë ndikim në nivel rajonal, në sektorin infrastrukturor me gjasë për 4-5 vitet që vijnë mund të ndryshojnë peizazhin e rajonit”, theksoi Soreca.
Arritja e kësaj marrëveshjeje, bëri të ditur Soreca, shkyç një grant prej 40 milionë euro nga BE për programin e zhvillimit ekonomik dhe turizmit.
“Ky program ka potencialin për të mbështetur një prej sektorëve që pandemia e COVID-19 goditi më ashpër. Është thelbësore të sigurohet veprimtaria e programit dhe të përshpejtohet puna për të arritur ritmin për të kompensuar vonesën 2-vjeçare dhe ato goditje që ka pësuar sektori deri tani”, tha ai më tej.
Kjo mbështetje, vuri në dukje Soreca, është më shumë se kurrë e nevojshme.
“Ne plotësojmë mbështetjen e BE-së, pas COVID me 15 milionë pajisje mjekësore për të mbështetur reagimin e qeverisë në sektorin social dhe rimëkëmbjen ekonomike:, deklaroi ambasadori i BE-s-.
Më tej, ai informoi se sapo ka nisur edhe një program mjaft i rëndësishëm që është faza pas tërmetit për rindërtim Eu4culture që ka ambicien për të ndihmuar rimëkëmbjen social-ekonomike, turizmin e rrjedhimisht edhe ekonominë e vendit
“Ne presim të ecim përpara që programi të bëhet realitet dhe me shpresë që deri në fund të vitit ADP të hapë tenderët për projekte më të maturuara që do t’i hapin rrugë forcimit të lidhjes midis turizmit e trashëgimisë kulturore si një burim i zhvillimit ekonomik”, theksoi Soreca.
“Jemi këtu për tu ndihmuar e presim të ecim shpejt përpara”, vuri në dukje ai