Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një deklaratë për mediat ditën e sotme ngriti shqetësimin për mungesën e masave nga shteti në kushtet kur sipas tij Banka Botërore parashikon që mbi 40% e shqiptarëve do të jetojnë me më pak se 4 dollarë në ditë.
Ai risolli në vëmendje planin me 5 pika të propozuar të PD, i cili sipas tij është plotësisht i zbatueshëm.
“Kemi propozuar që pensionistët të marrin një shtesë prej 20 mijë lekësh në muaj. Sado të fshihen shifrat e të infektuarve, qytetarët e sëmurë nuk fshihen dot. Blerjet me liste në farmaci janë sot rregulli, jo përjashtimi.
Po rritet në mënyrë të frikshme numri i njerëzve që marrin ilaçe me listë. Kemi propozuar rimbursimin e plotë të paketës së trajtimit të pacienteve me COVID në kushtet e shtëpisë.
Rënia e konsumit dhe kriza e biznesit e kanë futur vendin në një spirale, këtu duhet dora e shtetit për të shkuar tek njerëzit jo tek klientët e qeverisë”, tha Lulzim Basha.
Ai akuzoi kryeministrin se ka dhënë miliona euro nga taksat e shqiptarëve për inceneratorët.
Kryeministri thotë nuk kam burime financiare për t’i siguruar bukën e gojës njerëzve që kanë humbur vendet e punës, për të mbuluar shpenzimet për maska e dezinfektantë për pensionistët, maska kushton para. Po ata që s’kanë të marrin bukën e gojës me çfarë do ta blejnë maskën.
Në 4 ditët e fundit janë paguar 2 mln euro për inceneratorët. 1,8 milionë për inceneratorin e Fierit dhe 200 mijë euro për atë të Tiranës.
Në Fier s’ka inceneratorë, ka një lëndinë të rrethuar dhe një karabina dhe për atë mynxyrë të gjithë kemi paguar 24 mln euro para të taksave që i janë dhënë kompanive fantazmë për diçka që as ekziston, as funksionon.
Plot 74 mln euro janë paguar në total për inceneratorët. Paratë tuaja, paratë e taksave tuaja, Edi Rama vazhdon t’ua japë inceneratorëve”, tha kryedemokrati.
Ai i kërkoi edhe një herë kryeministrit të vërë në zbatim planin me 5 pika të propozuar nga PD si e vetmja rrugë për të nxjerrë vendin nga kriza, ndryshe siç tha do të mbajë përgjegjësi jo vetëm politike por edhe penale.
“Dy javë pas shpalljes së planit tonë, kemi një qeveri të vendosur të injorojë nevojat e shqiptarëve dhe të vazhdojë vjedhjen.
Kërkoj një bashkim të madh shqiptarësh që ta nxjerrim vendin nga kjo gjendje.
Moszbatimi i planit me 5 pika e ngarkon, Edi Ramen dhe ministrat e tij me përgjegjësi penale.
Të ndalë menjëherë pagesat korruptive nga thesari i shtetit.
Shqipëria nuk është një vend i varfër por i vjedhur dhe i keqqeverisur. Si gjatë tërmetit dhe gjatë pandemisë”, tha kreu i PD.