Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi një bashkëbisedim me gazetarët mbi situatën socio-ekonomike në Shqipëri.
Lideri i opozitës thotë se kryeministri Edi Rama nuk e ka dëgjuar planin e propozuar nga Partia Demokratike për të përballur krizën ekonomike, të shkaktuar nga Covid-19. Ai thotë se kryeministri i vendit nuk do të dëgjojë zërin e shqiptarëve, por të atyre që marrin miliona nga buxheti i shtetit për inceneratorët.
“Në fakt unë e besoj se ai nuk e ka dëgjuar këtë plan, sepse nuk ka ditë, javë, por vite që Edi Rama nuk dëgjon njerëzit, prindërit që kanë humbur vendin e punës dhe s’u ka mbetur asnjë alternativë për të ushqyer fëmijët e tyre. Nuk dëgjon sipërmarrjen, nuk dëgjon mjekët. Nuk dëgjon mësuesit, nga të cilët ditë përditë marrim qindra masazhe për gjendjen katastrofike të higjienës në shkolla. Nuk dëgjon shqiptarët që ditë për ditë nga terminali mbushin autobusët. E kur nuk dëgjon asnjë shqiptar, natyrisht që nuk dëgjon as planin tonë. Edi Rama dëgjon vetëm zërin e oligarkëve të tij që kërkojnë para, dhe nuk kthen asnjë përgjigje për përgjegjësinë e tij politikë dhe kriminale. Lekët që ua mbledh me pikatore familjeve në nevojë ua jep me lopatë iceneratorëve vetëm një javë më parë”, tha Basha.
Ndërkaq, Basha deklaron se Plani i PD-së me 5 pika nuk është kinematografi me regji qendrore, nuk janë cic-mice, por rrugëdalje nga kriza.
Nga ana tjetër Basha theksoi se Edi Rama dëgjon vetëm zërin e oligarkëve të tij që kërkojnë para për inceneratorët.
“Me çfarë i ushqejnë fëmijët shqiptarët që janë braktisur prej muajsh pa asnjë burim të ardhurash? Po bëhet 1 vit nga tërmeti, qytetarët janë ende në çadra, në shtëpi të rrënuara që rrezikojnë t’i zënë poshtë. Plani me 5 pika, ofrimi i mbështetjes për të mbrojtur mjekët, trefishimi i numrit të testimeve. Plani ynë me 5 pika, 1000 euro shtesë mujore për çdo mjek, 500 euro për çdo infermier. Plani me 5 pika, pajisja e shkollave me pajisje dhe materiale sanitare, testimi i të gjithë e mësuesve.
Plani me 5 pika, 160 mijë lek/muaj për çdo të papunë, 20 mijë lek/muaj për çdo rimarrje në punë nga biznesi. Plani me 5 pika, çek 1000 € për biznesin e vogël, 20 mijë lek/muaj shtesë të gjithë pensionistëve. Plani me 5 pika, zgjerim i kategorive të bizneseve që përfitojnë nga garancia sovrane, zgjatje të afatit. I vetmi shqiptar që nuk ka dëgjuar për planin e PD, është i pari i qeverisë. Të gjithë shqiptarët e tjerë e dinë. Edhe statistikat e manipuluara zyrtare nuk mbulojnë dot katastrofën humanitare dhe kolapsin e ekonomisë. ”, theksoi kryedemokrati Lulzim Basha.
Plani i Rimëkëmbjes: 5 hapa kundër krizës
1. Mbështetje dhe përgatitje e sistemit shëndetësor: Përgatitja për një shpërthim tjetër të infeksionit të COVID-19, duke:
a) Rritur numrin e testimeve për COVID në 2500 testime në ditë.
b) Rimbursim i plotë për marrjen e mjekimit ambulator kundër COVID.
c) Sigurimin e paisjeve mbrojtëse për të gjithë personelin shëndetësor dhe rritjen e kapaciteteve spitalore.
d) Bonus 1000 Euro për çdo mjek dhe 500 euro për çdo infermier për 6 muajt e ardhshëm.
2. Fëmijët tanë të arsimohen të sigurtë: Të garantojmë që fëmijët dhe mësuesit në shkollë të jenë të sigurtë, duke:
a) Përmirësuar kushtet sanitare në shkolla duke përfshirë furnizimin me ujë, paisjen me maska mbrojtëse dhe dezinfektimin e rregullt të ambienteve mësimore.
b) Kryer testimin periodik për mësuesit dhe stafin ndihmës.
c) Investuar në teknologji për rastet kur mund të aplikohet mësimi në distancë, përfshirë ndihmën për familjet me të ardhura të ulta për të blerë tableta për fëmijët e tyre, në mënyrë që edhe ata të përfitojnë nga mësimi në distancë.
3. Asnjë shqiptar të mos lihet pas dore:
a) Të mbështesim ata që kanë humbur vendin e punës. Çdo individ që ka humbur vendin e punës nga pandemia gjatë këtij viti, të përfitojë një çek mujor prej 16 mijë lekë të reja në muaj, përvec pagesës ligjore për papunësinë, për një periudhë prej 6 muajsh.
b) Krijimi i një Fondi të Punësimit për të mbështetur bizneset për të rimarrë në punë të larguarit gjatë pandemisë, duke i alokuar cdo punëdhënësi që rimerr në punë një individ që ka humbur vendin e punës prej pandemisë, një shumë mujore prej 20 mijë lekë të reja në muaj për një periudhe prej 6 muaj.
c) Dyfishimi i ndihmës ekonomike për çdo familje që trajtohet me ndihmë ekonomike.
d) Çdo pensionist të përfitojë një çek mujor prej 2 mijë lekë të reja në muaj për përballimin e kostove shtesë të pandemisë, për 6 muaj.
4. Ndihmë për biznesin e vogël: Mbështetje e drejtpërdrejtë për të gjitha bizneset e vogla të prekura nga pandemia. Çek prej 1000 euro për çdo biznes të vogël aktiv.
5. Mbështetje për biznesin prodhues dhe punëdhënësit e mëdhenj:
a) Për 6 muajt e ardhshëm, subvencionim i 50% të qirasë për ambjentet e punës ose heqje e taksës së pronës për bizneset pronare të ambjenteve të punës.
b) Shtrirja në kohë dhe rikonceptimi i kritereve të përfitimit nga të dy skemat e garancisë sovrane, për ta bërë më të aksesueshme dhe të përballueshme kredimarrjen nga biznesi. Përcaktimi i një tavani prej 2% të normës së interesit për biznesin, duke subvencionuar çdo përqindje mbi këtë vlerë në kredimarrjen për investime dhe shpenzime operative.