BE ka kohë që i shtyn shumë vendime, pasi kriza e Coronës sundon gjithçka në Europë. Tani lufta kundër saj do të jetë më shpesh në fokus të takimeve në nivele të lartë.
Kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin u largua nga samiti i BE në Bruksel më herët, për shkak të shifrave në rritje në vendin e saj dhe u përfaqësua nga kolegët suedezë. Që të enjten Marin kishte kritikuar samitet me prezencë të krerëve të shteteve e qeverive të BE si një luks në kohën e pandemisë. Por kreu i Këshillit të BE Charles Michel kishte këmbëngulur, që takimi të zhvillohej me prezencë për të diskutuar temën mjaft të ndjeshme të Brexit. Vendimet për mbrojtjen e klimës, marrëdhënien me Turqinë dhe strategjinë e re për Afrikën janë shtyrë në samitin e rregullt të BE në dhjetor. Ndërsa negociatat e BE me Mbretërinë e Bashkuar për një marrëveshje tregtie dhe partneriteti pas Brexitit nuk kanë sjellë asgjë të re, veç deklaratave, se megjithë ultimatumet britanike, do të vazhdohet të bisedohet ende.
Çdo javë nga një grup pune
Ajo që u diskutua në samitin e djeshëm (16.10.) ishte më shumë koordinim në BE për luftimin e pandemisë së Coronës. Por nuk u morën vendime konkrete, se me cilat masa, rregullore karantine apo udhëtimi mund të përmirësohet gjendja. Kancelarja, Angela Merkel, që drejton si presidente e radhës kryesinë e BE tha vetëm, se do të takohemi më shpesh, përmes videokonferencave dhe se ajo gëzohet për një shkëmbim më të madh. „Kjo është një sfidë e madhe për të gjithë krerët e qeverive dhe vendeve të Bashkimit Europian. Prandaj ne kemi rënë dakord që të shkëmbejmë më rregullisht mendimet përmes videokonferencave. Çështja, se si do të dalim nga kjo pandemi vendos për shëndetin e shumë njerëzve. Ajo vendos, se sa njerëz do të humbasin jetën, ajo vendos për aftësinë tonë ekonomike”, tha Merkel. Kryeministri irlandez, Michael Martin bëri të ditur se do të lidhemi përmes videokonferencës „praktikisht çdo javë”.
Ujdi kishte në samit për mënyrën e veprimit në valën e dytë të pandemisë: që të vazhdojnë normalisht punën sipërmarrjet, tregtia apo shkollat, por të „kufizohen në mënyrë drastike kontaktet” në pika të tjera”, sipas kancelares Merkel. Krerët e qeverive dhe vendeve të BE e përshëndetën strategjinë e Komisionit Europian për të blerë vaksina për të gjitha vendet e BE dhe të përpilohet një plan për shpërndarjen e drejtë.
Falje e borxheve në vend të shtyrjes?
Pa pandeminë në këtë samit do të miratohej edhe strategjia e re për Afrikën e zhvilluar nga presidentja e KE, Ursula von der Leyen. Viti 2020 do duhej të ishte viti i Afrikës, por planet do të shtyhen tani në vitin e ardhshëm, u shpreh i ngarkuari i BE për Politikën e Jashtme, Joseph Borrell. Samiti me të gjitha vendet afrikane nuk do të zhvillohet për shkak të pandemisë. Kreu i Këshillit të BE, Charles Michel, premtoi për dhjetorin një variant tjetër. BE do të diskutojë me krerët e Unionit Afrikan, AU për strategjinë e re të saj. “Aty do të kemi mundësinë të rigjallërojmë partneritetin tonë, madje aleancën tonë me Afrikën. Kjo aleancë është shumë e natyrshme për arsye gjeografike, historike dhe kulturore. Kemi potencial të madh, nëse punojmë së bashku me liderët afrikanë dhe marrim vendimet e duhura”, tha Michel.
BE kërkon të arrijë ujdi me Afrikën për një menaxhim më të mirë të migracionit. Shumë migrantë afrikanë kërkojnë të vijnë në BE. Megjithatë Afrika nuk duhet të reduktohet vetëm në çështjen e migracionit, tha kryediplomati i BE, Joseph Borrell. “Migracioni është para së gjithash një problem dinamik brendaafrikan dhe ne duhet t’i ndihmojmë këto vende në terren.” Kurse i nderuari me Çmimin Nobel për Paqen, Denis Mukwege, drejtues i një klinike dhe aktivist për të drejtat e njeriut në Kongo, i ftuar në samitin e Brukselit paralajmëroi nga rrjedhja e trurit dhe pasojat për Afrikën.
Objektivi i BE për vitin 2030 mbrojtjen e klimës, që sipas aktivistëve të klimës duhet të fiksohet urgjentisht, u shty në samitin e ardhshëm. Në dhjetor vendet anëtare të BE do të vendosin, nëse emetimi i gazrave karbonikë në 10 vjetët e ardhshëm do të të ulet me 50, 55 apo 60%. Gjermania mbështet objektivin e kursimit me 55%. Parlamenti Europian kërkon 60%. Organizatat ambientaliste madje më shumë se 60%. Netë të gjata negociatash pra janë të paraprogramuara./dw