Ambasadorët e 29 vendeve anëtare të Aleancës Veriatlantike sot në selinë e organizatës e nënshkruan Protokollin për anëtarësim të Maqedonisë në NATO.
Në ceremoninë në selinë e Aleancës në Bruksel, mori pjesë ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov, i cili sot në mëngjes direkt u nis në Bruksel nga Uashingtoni.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në fillim deklaroi se “ky është një moment historik për vendin. Kryeministrat Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras treguan guxim të madh me arritjen e Marrëveshjes së Prespës, me çka kontribuuan edhe për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit”.
“Kjo ishte një rrugë e vështirë e mbushur me kompromise. Një kohë të gjatë Ju prisnim që të inkuadroheni në familjen tonë. Keni marrë pjesë në misione të NATO-s dhe i keni plotësuar reformat e nevojshme që të bëheni anëtarja e 30-të e NATO-s. Pas nënshkrimit pason procesi i ratifikimit dhe besoj se do të ratifikohet nga të gjitha vendet anëtare”, deklaroi Stoltenberg.
Ai theksoi se prej sot përfaqësuesi i Maqedonisë do të jetë në tryezën e NATO-s.
“Presim që të vazhdojnë reformat e nevojshme edhe për anëtarësimin në BE, me të cilën ndajmë vlera të përbashkëta” theksoi sekretari i përgjithshëm i Aleancës.
Shefi i diplomacisë të Maqedonisë tha se “kjo ishte një rrugë e gjatë që para disa vitesh e filluam me edhe nëntë vende të tjera, Maqedonia së shpejti, me hyrjen në fuqi të ndryshimeve kushtetuese do të jetë Maqedonia e Veriut. Me këtë e plotësojmë edhe qëllimin strategjik-anëtarësimin në NATO. Ky është rezultat i punës së shumë brezave dhe obligim i brezit tonë”, tha Dimitrovi.
Sipas tij, kjo nuk u arrit lehtë, por, megjithatë brezi ynë arriti sukses me marrëveshjen midis kryeministrave Zaev dhe Cipras, si dhe me përkrahjen e kryeministrit të Bullgarisë, Bojko Borisov dhe nënshkrimin e Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë.
“Për ne anëtarësimi në NATO është kalimi në anën e sigurisë, stabilitetit, vlerave dhe lirive civile”, shtoi Dimitrov.
Në fund Dimitrovi sqaroi se “rruga që kaluam na bëri më të pjekur, i zgjidhëm të gjitha problemet me fqinjët në një rajon i cili ende ballafaqohet me pasiguri të caktuara. Rruga nuk ka përfunduar, por dëshirojmë që të ecim së bashku. Maqedonia do t’i plotësojë të gjitha reformat që i premtoi. Prej sot vendi im u bë me të vërtetë i fuqishëm, duke i falënderuar të gjithë ambasadorët e vendeve anëtare që sot vunë firmat e tyre në protokoll.
Kjo është një ditë e
madhe, ditë historike për të gjithë qytetarët tanë. Sot, aleanca më e madhe e
sigurisë në botë, NATO, na tha mirë se vini. Sot u ulëm krah për krah me
aleatët tanë, në të njëjtën tryezë, në të njëjtën Aleancë.
Këtë në profilin e tij në Fejsbuk e shkroi kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev pas nënshkrimit në Bruksel të Protokollit për pranimin e Maqedonisë në NATO.
“Jemi të lumtur, dhe duhet që të jemi të lumtur, sepse siguruam stabilitet afatgjatë për vendin tonë. Siguruam siguri dhe paqe. Progresi dhe zhvillimi tani janë të pandalshëm. Brezat tanë dhe fëmijët e brezave tanë do të jetojnë më mirë, në vendin edhe në rajonin që rrezatojnë shpresë. Urime, duhet të jemi krenarë”, shkroi kryeministri Zaev./MIA