Shqipëria këtë vit mban presidencën e Traktatit të Kartës së Energjisë, ku bëjnë pjesë 53 shtete.
Ndërsa gjatë vitit 2019, Shqipëria do të organizojë dy takime të mëdha ndërkombëtare në fushën e energjetikës, siç janë Forumi ndërkombëtar i Efiçencës së Energjisë dhe Konferenca Ministeriale e Energy Charter që do të ketë në fokus diversifikimin e burimeve energjetike.
Ndërlidhja me rrjetet rajonale të energjisë dhe krijimi i një tregu konkurrues, rritja e penetrimit të kapaciteteve të gjenerimit të energjisë nga burime të rinovueshme, promovimi i masave për eficencën e energjisë dhe masat për mbrojtjen e klimës janë disa nga prioritetet e saj, bërë të ditura nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila priti në një takim sekretarin e përgjithshëm të këtij traktati.
“Sot kam pasur nderin të pres në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë Sekretarin e Përgjithshëm të Energy Charter Urban Rusnák, i cili bëri një vizitë në Shqipëri për të më informuar më tej përsa i përket presidencës që Shqipëria ka gjatë vitit 2019 në Energy Charter. Përfitova nga rasti për ti treguar të gjitha investimet dhe gjithçka që është bërë në fushën e energjisë”, deklaroi ajo.
Nga ana e tij, sekretari i përgjithshëm u shpreh se vendi ynë ka potencial të madh për të luajtur një rol të rëndësishëm në arritjen e një niveli të përgjithshëm të energjisë së gjelbër dhe të rinovueshme në sistemin energjetik të Ballkanit.