Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi sot se “kryeministri Rama vazhdon të injorojë thirrjet e OBSH-së për të shtuar numrin e testimeve”.
Gjatë një konference për mediet, Basha tha se “shifrat e viktimave nga COVID janë më të larta nga sa raportohen”.
“Qeveria është fajtore, pasi nuk ka marrë asnjë masë për t’i paraprirë situatës, ndonëse kanë qenë të paralajmëruar nga ekspertët, opozita, ndonëse OBSH ka lëshuar udhëzime për të marrë masa paraprake. Si rezultat i kësaj numri i infektimeve është shtuar shumë më shumë, sesa nëse situata do të mbahej nën kontroll, e do të bëheshin mbi 2 mijë testime. Së dyti, ata janë faktorë për fshehjen e të vërtetës. Kjo është dita e zezë, për të cilën Rama duhet të kishte përdorur paratë”, tha Basha duke shtuar se “statistikat e raportuara janë të rreme”.
Ai tha se “testime mbi 2 mijë në ditë, rritje e kapaciteteve spitalore, rimbursimi i ilaçeve për të sëmurët me COVID, mund të ishin financuar dhe të çonin në uljen e numrit të të infektuarve dhe viktimave. Rama i ka paratë, por zgjedh t’i vjedhë. Prej dy javësh po i ikën përgjegjshmërisë dhe mundohet ta zhvendosë debatin”.
Po ashtu, Basha shtoi se “ai do vazhdojë të hapë lloj-lloj diskutimesh, vetëm që mos të përgjigjet pse nuk rrit numrin e testimeve, të mjekëve dhe infermierëve, pse nuk hap spitale të tjera, pse nuk paguan ata që kanë humbur vendet e punës, pensionistët, ata që janë në nevojë”.
“Pse kemi ardhur në këtë pikë? Sepse paratë që duhet të shkonin për të trajtuar të sëmurët me COVID i kanë vjedhur”, tha Basha duke shtuar se Komiteti Teknik i Ekspertëve po vepron si fasadë për dështimet e Ramës. S’ka pasur plan të ndihmojë sistemin, por është fshehur dhe vijon të fshihet ndërkohë që vjedh paratë e shqiptarëve”.