Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vlerësoi bashkëshorten e Ambasadorit të Shtetit të Kuvajtit në Shqipëri, zonjën Ebtisam Nasser Ibrahim Al-Houti, me Titullin e lartë “Për Merita të Veçanta Civile”, me motivacionin: “Për kontributin e saj të vyer intelektual, njerëzor dhe artistik në promovimin e traditave, pasurisë etnokulturore dhe turizmit shqiptar, duke lartësuar bukurinë natyrore, aftësitë krijuese dhe mikpritjen shqiptare; Për rolin e çmuar, në promovimin e vlerave artistike, profesionale dhe kulturore, veçanërisht të zonjave dhe vajzave të dy vendeve tona”.
Në fjalën e Tij drejtuar të pranishmëve në ceremoninë solemne të dekorimit, ku morën pjesë Ambasadorët e Shtetit të Kuvajtit, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Polonisë, Sllovenisë, Arabisë Saudite, Shtetit të Katarit, Egjiptit, Kosovës e shumë personalitete të artit e kulturës, Presidenti Meta u shpreh:
“Është në traditën tonë të respektojmë dhe të nderojmë miqtë, sidomos ata që e konsiderojnë me shumë dashuri Shqipërinë, si shtëpinë e tyre”.
Në përpjekje për të vlerësuar personalitete të shquara të vendit dhe të huaja, të cilat kanë dhënë një kontribut për promovimin e kulturës dhe artit në Shqipëri nëpërmjet veprimtarisë së tyre, kam kënaqësinë t’i akordoj dhënien e dekoratës ‘Për Merita të Veçanta Civile’, Zonjës Ebtisam Nasser Ibrahim Al-Houti, bashkëshortes të Ambasadorit të Shtetit të Kuvajtit në Shqipëri.
Zonja Ebtisam ka studiuar dhe është diplomuar në Kolegjin e Arteve në Universitetin e Kuvajtit në fushën e Psikologjisë dhe Sociologjisë, si dhe ka një karrierë të spikatur në shërbimet sociale dhe aktivizimin e studentëve të saj në projekte artistike dhe krijuese.
Zonja Ebtisam ka shoqëruar bashkëshortin e saj gjatë karrierës së tij diplomatike në disa vende, përmes të cilave ajo ka realizuar punë bamirësie të ndryshme ku dhe filloi karrierën e saj artistike.
Gjatë qëndrimit të saj në Shqipëri, ajo bashkëpunoi me bashkëshortin e saj në detyrë, Ambasador i Shtetit të Kuvajtit në Republikën e Shqipërisë, ku ndërmori disa projekte humanitare si dhe organizoi dy ekspozita dhe botoi dy libra me fotografi artistike.
Së pari në vitin 2019, u çel ekspozita me titull ‘Shqipëria, Bukuria e Buzëqeshjes dhe Mikpritjes’, që hedh dritë mbi përvojën e saj unike me popullin shqiptar, duke shprehur bukurinë dhe shpirtin mikpritës shqiptarë duke e paraqitur atë si një aset të çmuar kombëtare.
Më vonë, në vitin 2020, botimi me titull ‘Duart e Arta’ e cila hedh dritë mbi afrimitetin intelektual, shpirtëror dhe kulturor ndërmjet grave në të dy vendet, si veprat e tyre krijuese, të cilat pasqyrojnë anën femërore dhe punën e veçantë artistike.
Zonja Ebtisam është padyshim një ambasadore e vendit të saj në Shqipëri, së bashku me bashkëshortin, dhe ka një kontribut të veçantë në promovimin e bukurive natyrore dhe turizmit në Shqipëri, me botime cilësore që ndihmojnë rritjen e imazhit të vendit tonë në Kuvajt, për të cilat meriton falënderim të veçantë.
Duke vlerësuar kontributet e saj në dobi të Shqipërisë jam i bindur se dekorata për ‘Merita të Veçanta Civile’ është një vlerësim i merituar, por edhe frymëzim për të vazhduar të promovojë Shqipërinë në Shtetin mik të Kuvajtit dhe jo vetëm.