Bashkimi Evropian ka reaguar pas dorëheqjes së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ndaj të cilit janë konfirmuar aktakuzat nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në reagimin e tyre thuhet se, BE-ja mirëpret faktin që Hashim Thaçi, ka rënë dakord të bashkëpunojë me Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Po ashtu BE-ja i ka dhënë mbështetje të fuqishme punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
“BE mbështet fuqimisht punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Bashkëpunimi i plotë me këto institucione është thelbësor si një demonstrim i rëndësishëm i angazhimit të Kosovës për sundimin e ligjit, i cili nga ana tjetër është një element thelbësor për përparimin e Kosovës në rrugën e saj evropiane dhe për angazhimin e BE-së me Ballkanin Perëndimor në tërësi”, thuhet në reagimin nga Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano
Pas dorëheqjes së Presidentit Thaçi, BE-ja beson se përfaqësuesit e Kosovës do të sigurojnë vazhdimësinë e institucioneve siç përcaktohet në ligjet e Kosovës.