Presidentët George W. Bush dhe Barack Obama, kur u zgjodhën për herë të parë, u shprehën se besonin që mund të krijonin raporte të afërta me udhëheqësin rus Vladimir Putin për të përmirësuar në mënyrë dramatike marrëdhëniet SHBA-Rusi. Por gjykimi i tyre për zotin Putin ndryshoi shpejt.
Kur u pyet se çfarë përshtypjesh kishte krijuar kur u takua personalisht me zotin Putin, Presidenti George W. Bush tha, “E pashë në sy. M’u duk njeri i hapur, i besueshëm. Më duket se ia kuptova shpirtin”. Tetë vjetë më pas, Presidenti Obama u përpoq të përmirësonte marrëdhëniet, por iu shuan shpresat kur Rusia aneksoi Krimenë në 2014.
Joe Biden, ish-nënpresident nën administratën Obama, është shprehur pro një strategjie për një fillim të ri me Rusinë. Por diplomatë dhe analistë thonë se nuk pritet që ai të ndjekë shembullin e pararendësve. Zoti Biden pat thënë gjatë fushatës se, “Besoj se Rusia është kundërshtarja jonë; e besoj me të vërtetë“. Ndërsa ai e cilësoi Kinën “një konkurrente, një konkurrente serioze”.
Gjatë fushatës presidenciale, zoti Biden u përpoq të tregonte dallimin mes tij dhe Presidentit Trump lidhur me Rusinë, duke akuzuar rivalin e tij se tregohet i butë me Putinin.Zoti Trump dhe ndihmësit e tij u kundërpërgjigjën në gusht: “Personi më i padëshirueshëm për Rusinë në postin e presidentit është Donald Trumpi, pasi askush nuk ka qenë më i ashpër me Rusinë“.
Në fillim të muajit të kaluar, zoti Biden kritikoi presidentin se ka qendruar i heshtur lidhur me helmimin e udhëheqësit të opozitës ruse, Alexei Navalny, për të cilin ai fajësoi drejtpërdrejt qeverinë ruse.
“Përsëri, Kremlini ka përdorur armën e tij të preferuar, agjentin nervor Noviçok, në përpjekje për t’i mbyllur gojën një kundërshtari politik. Kjo është marka e regjimit rus që është kaq i fiksuar sa që nuk pranon dot kritika apo kundërshtarë,” tha ai.
Por kandidatët mund të bëjnë premtime që nuk i zbatojnë kur vijnë në post; nganjëherë të shtyrë nga rrethanat apo ngjarjet ata nuk arrijnë të përmbushin zotimet. A do të jetë Presidenti Biden i rreptë në qëndrimin ndaj Rusisë?
“Nuk ka Fillim të Ri”
“Nuk mendoj se zoti Biden do të afrohet apo zbutet ndaj Putinit,” thotë David Kramer, ish-ndihmës sekretar i shtetit nën presidencën e George W. Bush. “Moska ka vazhduar fushatën e dizinformimit kundër tij, prandaj nuk mendoj se zoti Biden do të zgjasë dorën e miqësisë,” thotë zoti Kramer.
Ish-zyrtari amerikan nuk mendon se do të ketë një kapitull të ri në marrëdhëniet SHBA-Rusi me ardhjen e zotit Biden në Shtëpinë e Bardhë. Ai thotë se zoti Biden do të përqëndrohet kryesisht tek zhvillimet e brendshme.
“Për sa u përket temave të politikës së jashtme, nuk mendoj se Rusia do të jetë në krye të listës, pasi ka shumë probleme të tjera,” thotë zoti Kramer.
Zoti Biden dhe zoti Putin janë takuar më parë. Në një intervistë në 2011 me revistën The New Yorker, zoti Biden tha se në një takim i kishte thënë udhëheqësit rus “Po të shoh në sy dhe nuk mendoj se ke shpirt”. “Ai më pa, buzëqeshi dhe u përgjigj ‘Më duket se e kuptojmë njeri-tjetrin’,” vazhdoi zoti Biden.
Analistët thonë se sanksionet ekonomike amerikane kundër Rusisë, të vëna nga administratat Obama dhe Trump janë një tjetër pengesë për përmirësimin e marrëdhënieve.
“Zonë Gri”
Ish-diplomatë perëndimorë thonë se antagonizmi ka gjasa të vazhdojë mes Uashingtonit dhe Moskës për sa kohë që Kremlini përpiqet të minojë institucionet perëndimore.
Javën e kaluar një këshilltar i lartë i kryeministrit britanik Boris Johnson, Mark Sedwill, bëri të ditur se Britania ka ndërmarrë një seri sulmesh të fshehta kibernetike kundër udhëheqësve rusë dhe interesave të tyre “për të imponuar një çmim më të lartë se ç’e prisnin” për sulmet e tyre kibernetike ndaj Perëndimit.
Vende të tjera perëndimore, përfshirë SHBA, po bëjnë të njëjtën gjë, thonë zyrtarët e zbulimit, në akte të ndërsjellta hakmarrëse në konfliktin kibernetik me Kremlinin në të ashtuquajturën “zona gri” – situata mes një konflikti të hapur ushtarak dhe marrëdhënieve normale mes vendeve.
SHBA dhe fuqi të tjera perëndimore janë në konflikt me Rusinë mbi një numër temash, që nga aneksimi i Krimesë, tek aktiviteti rus në Ukraninën lindore, që nga mbështetja për presidentin e Sirisë Bashar al-Asad, tek përpjekjet për të vrarë spiunin e dyfishtë Sergei Skripal në Angli në 2018.
Heather Williams e grupit analist britanik “Chatham House” parashikon se administrata Biden do të përqëndrohet në dy fusha: rivendosjen e rregulloreve për kontrollin e armëve dhe forcimin e NATO-s për të mos lejuar aventurizmin rus.
“Nga njëra anë, SHBA duhet të vazhdojë praktikat e dekurajimit të veprimeve të Moskës dhe të rifitojë kredibilitetin ndër aleatët. Po ashtu, Uashingtoni duhet të punojë për kontrollin e armëve dhe të identifikojë mundësi për uljen e kërcënimeve”.
Në ditët e fundit të fushatës presidenciale, Kremlini dukej se po përgatitej për të dyja skenaret në rezultatin zgjedhor.
Ndërkohë që kampi zgjedhor i Presidentit Trump po hidhte akuza në adresë të djalit të zotit Biden për korrupsion në marrëdhëniet me një kompani energjetike ukrainase, zoti Putin nuk u duk se po u mëshonte këtyre akuzave, duke thënë “Po, ai mund të ketë qenë në kontrata biznesi në Ukrainë, ndoshta është akoma. Ky është problem me interes për amerikanët dhe ukrainasit. Nuk shoh që të ketë ndonjë shenjë për aktivitet kriminal”.
Kontrolli i armëve bërthamore
Presidenti Putin bëri thirrje këtë muaj që të mos lejohet të skadojë traktati ekzistues mes Rusisë dhe SHBA për kontrollin e armëve bërthamore. Ai propozoi zgjatjen e traktatit Start i Ri që skadon në shkurt.
Traktati u nënshkrua në 2010 nga Presidenti Obama dhe presidenti rus në atë kohë, Dmitri Medvedev. Ky pakt kufizon mbushjet bërthamore që mund të zotërojë secili nga këto vende, si dhe raketat dhe bombarduesit që mund të dislokohen.
Gjatë karrierës së gjatë si senator, zoti Biden ka folur me forcë për nevojën për kontrollin e armëve dhe është zotuar se do të zgjasë Startin e Ri duke thënë se ka të ngjarë që të pranojë ofertën ruse për ta zgjatur këtë pakt për pesë vjet./voa