Kreu i shtetit, Ilir Meta, i ka kthyer mazhorancës ligjin e radhës për rishqyrtim në Kuvend. Bëhet fjalë për ligjin nr. 126/2020 “Për metrologjinë”.
Presidenti Meta në arsyet e kthimit thekson se ky ligj “ka përmbajtje të lartë antikushtetutshmërie dhe është shembull tipik i korrupsionit legjislativ.
“Është një ndër ligjet me përmbajtje më të lartë antikushtetutshmërie, në shkelje flagrante të parimeve themelore kushtetuese të funksionimit të tregut të lirë dhe konkurrues, duke përbërë dhe shembullin tipik dhe të përsëritur, të fenomenit të “korrupsionit legjislativ”.
Ky ligj, siç dhe do të shpjegohet në vijim, në disa dispozita të tij krijon hapësira për zhvillimin e praktikave korruptive dhe shtron terrenin që këto praktika në dëm të interesit të popullatës dhe interesit publik, të realizohen drejtpërdrejtë përmes ligjit dhe mbrojtjes që ai ofron për subjektet që do t`i realizojnë ato. Këto dispozita që do të analizohen në vijim e bëjnë praktikisht edhe pjesën tjetër të ligjit nr. 126/2020, të papranueshëm për dekretim me shpallje,– thuhet në njoftimin zyrtar të Presidentit.