Zyra e shtypit në ambasadën e SHBA-ve në Tiranë konfirmoi sot se u ka refuzuar vizën 170 nëpunësve të lartë shqiptarë e po ashtu, edhe ish-zyrtarëve, së bashku me familjet e tyre.
“Që nga revokimi i vizave të disa gjyqtarëve dhe prokurorëve në janar të 2017, ambasada u ka mohuar vizat edhe më shumë se 170 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve, bashkë me familjet e tyre. Pozicioni i ambasadës së ShBA për t’ju mohuar hyrjen në ShBA zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të korruptuar mbetet i pandryshueshëm”, thuhet në njoftimin e saj.
Gjithashtu, ajo vëren se refuzimi i vizave ka ardhur për shkak të informacioneve që ka marrë në lidhje me drejtues të lartë të përfshirë në korrupsion dhe abuzime me pushtetin.
“Ambasada e SHBA-ve ka vepruar bazuar në informacionet që tregojnë se një person është i papranueshëm në Shtetet e Bashkuara dhe do të vazhdojë të përdorë autoritetin e vet për të çuar përpara përpjekjet anti-korrupsion në Shqipëri. Ajo i merr shumë seriozisht pretendimet për korrupsion dhe do të vazhdojë të shqyrtojë vizat dhe aplikimet për vizë të zyrtarëve publik me kontrolle shtesë”, vijon njoftimi.
Pas debatit të zhvilluar në Parlament mes Kryeministrit Edi Rama dhe paraardhësit të tij, Sali Berisha, për refuzim të pajisjes me vizë amerikane, gazeta “Panorama” kërkoi informacion nga ambasada e SHBA-ve në Tiranë, nëse ka ndryshime në regjimin e vizave për zyrtarët apo ish-zyrtarët e lartë. Dhe në një përgjigje me shkrim, zyra e shtypit pranë kësaj ambasade, u shpreh se për zyrtarët publikë ka kontrolle shtesë në rastet kur ka pretendime për korrupsion të tyre.